Banorët e rrugës “Lugoçesme” në Shkodër do të kenë së shpejti një rrugë të rikonstruktuar.

Bashkia e Shkodrës bën të ditur se rikonstruksioni do të kryhet me anë të një investimi me vlerë 437 milionë lekë.

Është një rrugë me gjatësi 800 metër linear dhe projekti parashikon 3600 m2 asfalt, 1300 m2 trotuare, linja KUZ përfshirë rrjetin kryesor dhe lidhjet me banesat prej 1260 metër linear, linja KUB kanal betoni i mbyllur 1 m x 1 m 800 metër linear”, thekson bashkia.

Po ashtu përfshin 950 metër linear linjë ujësjellësi, 26 shtylla me ndriçim LED, 800 metër linear linjë për fibër optike, sinjalistikë vertikale dhe horizontale.

Bashkia e Shkodrës ka nisur kohët e fundit rikualifikimin urban të bllokut të banimit në rrugën “Qemal Draçini”, të bllokut të pallateve në bulevardin “Zogu I” në qytetin e Shkodrës, të bllokut të pallateve në lagjen “Xhabije” të qytetit të Shkodrës, etj, të cilat do të kenë impakt të drejtpërdrejtë në standardin e jetesës së banorëve, duke zgjidhur kështu probleme që janë bartur prej vitesh.