Në kuadër të projektit për rehabilitimin e qendrës së qytetit, në Fier ka nisur transformimi i Urës me Shkallë.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi u shpreh sot se “vendosja e trarëve tashmë përfundoi dhe çdo ditë jemi më pranë përfundimit të punimeve në qendrën e qytetit”.

Sipas Subashit, “trarët e kësaj ure janë 30 metra të gjatë dhe peshojnë 50 tonë”. “Janë gjithsej 5 trarë në këtë urë e cila tashmë nuk do të jetë vetëm një urë për këmbësorë, por do të jetë edhe për qarkullimin e automjeteve”, tha Subashi.

Ura do të lidhë lagjen “1 Maji” me qendrën e Fierit dhe është pjesë e projektit të rehabilitimit të lumit Gjanica dhe qendrës së Fierit.

Aktualisht në të dyja anët e lumit Gjanica po kryhen sistemime dhe shtrim me pllaka guri, të rrugicave dhe shkallareve përkatëse.

Me financim të Qeverisë Shqiptare, në Fier po ndërtohet një hapësirë urbane moderne, në një shtrirje prej 60.000 m2 e cila pritet të rikthehet në një pikë takimi të rrugëve kryesore, duke ruajtur dhe identitetin e qytetit.

Projekti synon të krijojë një hapësirë urbane, moderne tërësisht të rikonceptuar, që bashkon njerëzit dhe nxit aktivitetet sociale.