Kryetari i Dhomës së Komunëve, John Bercow, refuzoi të kalojë sërish në votim marrëveshjen e Brexit-itmes Londrës dhe Bashkimit Europian, duke shpjeguar se mocioni ishte shqyrtuar ditën e shtunë.

“Mocioni nuk do të diskutohet më”, deklaroi ai, duke theksuar se do të ishte përsëritje e një votimi tjetër mbi këtë temë.

Mocioni u ndryshua të shtunën, duke detyruar qeverinë konservatore të Boris Johnson të kërkojë nga Bashkimi Europian një shtyrje të Brexit, të planifikuar për në 31 tetor.

Londra mori një marrëveshje divorci me Bashkimin Europian javën e kaluar, por dështoi në marrjen e mbështetjes nga Parlamenti britanik të shtunën.

Kryeministri Boris Johnson u detyrua të kërkojë një shtyrje të datës për daljen nga BE, një kërkesë që po shqyrtohet në Bruksel.

Më shumë se tre vjet pas referendumit të vitit 2016, kur 52% e britanikëve mbështetën kampin e “Leave”, opinioni dhe parlamentarët mbeten shumë të ndarë, madje edhe brenda partisë konservatore të Boris Johnson.

Qeveria thekson se ka një maxhorancë për të mbështetur marrëveshjen e saj, që zgjidh kushtet për divorc pas 46 viteve jetë të përbashkët, duke mundësuar një dalje të zbutur të shoqëruar nga një periudhë tranzicioni që do të zgjasë të paktën deri në fund të vitit 2020.