Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko replikoi sot gjatë fjalës së tij në Kuvend me deputetët e opozitës, të cilët u shprehën se nuk do të votojnë reformën zgjedhore nëse do të ketë marrëveshje mes PS dhe PD.

“U diskutua marrëveshja jonë mes PS dhe PD. Mos u shqetësoni, në fund fare kjo është një histori që na takon ne dhe kostot apo vlerat do t’i fitojmë ne. Ajo që është e rëndësishme për ju është se çfarëdolloj marrëveshje që do të diskutohet jashtë kësaj salle parlamenti, në fund fare politika është matematikë, do të vijë në këtë sallë këtu. Do të duhet të votoni ju Pa votën tuaj ne nuk mund të ratifikojmë asnjë lloj marrëveshje me mollë, me dardha, me pjeshka, me ngjala, me hamburger, me çfarë të doni.”, tha Majko.

Majko u shpreh se, “duhet të heqim dorë nga batuat dhe të jemi racionalë me këtë që po ndodh me të gjithë ne. Ka shumë skuadra të mëdha në shumë sporte, ku zëvendësuesit kanë bërë historinë. Këtë s’e kanë bërë as me batuta, as me sharje, por me akte, me lojë të ndershme”.