Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, priti sot zv.ndihmësin e Sekretarit Amerikan të Shtetit z. Jorgan K. Andrews të cilin e informoi lidhur me punën që është bërë për implementimin e plotë të reformës në drejtësi dhe funksionimin e organeve të reja.

Gjonaj falënderoi zyrtarin e lartë amerikan për të gjithë suportin e ofruar, ku tha se mbështetja e Shteteve të Bashkuara përmes misionit OPDAT dhe ambasadës amerikane, bëri të mundur që standardet e sistemit të ri të drejtësisë, të jenë në përputhje me ato ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, i shoqëruar nga e ngarkuara me Punë e ambasadës amerikanë në Tiranë Leyla Moses-Ones, vlerësoi punën e bërë nga ministrja Gjonaj, duke u shprehur optimist për bashkëpunimet e mëtejshme.

Jorgan K. Andreës tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin projektet e Ministrisë së Drejtësisë me një sërë projektesh për fuqizimin e shtetit të së drejtës.

Ndërkohë, përmes rrjetit social Facebook, Gjonaj ka përcjellë disa nga detajet e takimit:

“Vlerësimet e zv. ndihmës sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, z.Jorgan K. Andrews, për zbatimin e paketës së reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe reformimin e sistemit penitenciar, nuk janë vetëm njohje të meritave tona, por objektiva, përgjegjësi dhe punë më shumë për forcimin e sistemit dhe shtetit të së drejtës. Kisha kënaqësinë që në takimin me z. Andrews në Ministrinë e Drejtësisë, të siguronim përkrahjen e plotë për zbatimin e reformave që kemi ndërmarrë. Mbështetja e pakursyer amerikane në zbatimin e reformës në drejtësi, ngritjen dhe rritjen profesionale të kandidatëve të SPAK dhe BKH, është themelore në këtë moment. Ndaj puna jonë do të konkretizohet shumë shpejt edhe në forcimin e bashkëpunimit ndërgjyqësor me mekanizma të tjerë me qellim rritjen e efikasitetit të luftës kundër kriminalitetit.Gjithashtu, e falënderova z. Andrews për mbështetjen financiare dhe asistencën teknike, që qeveria amerikane po i jep qeverisë shqiptare për sistemin e burgjeve, dhe kryesisht zbatimit të regjimit të posaçëm 41 bis. Natyrisht, ajo çka kemi realizuar me bashkëpunimin e partnerëve tanë të çmuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, është shumë herë më e vogël nga ajo ç’ka na pret për të realizuar në të ardhmen”, shkruan ministrja e Drejtësisë.

Gjonaj shoqërohej në takim nga zv.ministrja Fjoralba Caka dhe drejtoresha për marrëdhëniet Juridiksionale me Jashtë Odeta Thëngjilli.

Ndërkohë, Andrews shoqërohej nga drejtoresha e Byrosë Ndërkombëtare të Luftës ndaj Drogës dhe Zbatimit të Ligjit Julie Craven, dhe e ngarkuara me punë e Ambasadës Amerikanë në Tiranë Leyla Moses-Ones.