Duke folur për rezultatet e reformës në drejtësi, kryeministri Edi Rama i dërgoi një tjetër mesazh të koduar prokurorit të Durrësit, Arian Ndoja, teksa tha se “disa prokurorë nuk po luajnë mirë”.

“Reforma në Drejtësi po sjell një pastrim rrënjësor dhe madhor. Shumë gjyqtarë, prokurorë, kryeprokuror, drejtues prokurorish janë shkarkuar nga Vettingu. Kemi një sërë prokurorësh e gjyqtarësh që e dinë se nuk mund ta kalojnë Vettingun. Ata po luajnë sikur është vakti i fundit, pra nuk po luajnë mirë dhe duan që t’i kenë të gjitha. Ky proces i kalbur i drejtësisë ka krijuar një zinxhir të gjatë ngjarjesh tragjike, presioni e dhune”, tha Rama.

Rama e ka akuzuar prokurorin Ndoja si të lidhur me bandat kriminale, ndërsa pak ditë më parë e paralajmëroi se nuk do t’i shpëtojë Reformës në Drejtësi, duke thënë se edhe nëse shkarkohet nga Vettingu, do të përballet sërish për të dhënë llogari për paratë e krimit.