Alejnadro Jose Hernandez Hernandez është zgjedhur për të qenë gjyqtari kryesor në El Clasicon mes Barcelonës dhe Real Madridit më 18 dhjetor në Camp Nou. Mirëpo, Los Blancos kanë dyshime për gjyqtarin spanjoll. Real Madridi është i shqetësuar për El Clasicon që po vjen pasi që i kujtohen disa raste kur s’ishte pajtuar me disa vendime të rëndësishme të gjyqtarit Hernandez Hernandez.

Në të kaluarën, Hernandez Hernandez ia kishte anuluar një gol sulmuesit anësor Gareth Bale-t, e kishte ndëshkuar me karton të kuq Sergio Ramosin dhe nuk kishte pranuar të akordojë penallti për Cristiano Ronaldon. Për më tepër, Ricardo de Burgos Bengotxea është emëruar gjyqtari që do ta menaxhojë VAR-in dhe Real Madridit ende i kujtohet ndeshja e parë e Superkupës së Spanjës në vitin 2017.

Në atë ndeshje, Cristiano Ronaldo ishte ndëshkuar me karton të kuq dhe pastaj e kishte shtyrë gjyqtarin, veprim për të cilën pastaj ishte ndëshkuar me pezullim prej pesë ndeshjeve. Real Madridi veçse ishte i pakënaqur që Barcelona do t’i shijojë 29 orë më shumë pushim para El Clasicos sesa Real Madridi e tani ata s’janë të lumtur as me zgjedhjet e gjyqtarëve.