Real Madrid po përgatit një ofertë prej 170 milionë euro për yllin e Chelsea, Eden Hazard, raporton “Daily Mail”. “Los Blancos” janë në merkato për të gjetur një zëvendësues të madh për Cristiano Ronaldo, i cili zyrtarisht u bashkua me Juventusin këtë javë.

Dhe klubi madrilen beson se mund të joshë 27-vjeçarin belg, i cili ende nuk ka rinovuar në “Stamford Bridge” dhe një ofertë nga kampionët europianë në fuqi do ta priste me lumturi. Po kështu, mësohet se Real Madridi ka hapur edhe bisedimet me Neymar.

Përfaqësuesi i klubit nga “Santiago Bernabeu”, Juni Calafat, ka mbajtur bisedime me babain e Neymar për mundësinë e joshjes së sulmuesit të PSG, sipas “Globoesporte”. Duhet thënë se Neymar nuk ka një klauzolë lirimi në marrëveshjen e tij të sigluar verën e kaluar me PSG-në, e cila zgjat deri në vitin 2022, kështu që do të ishte e vështirë për Real Madridin ta largonte atë nga kampionët e Ligue 1.

Ai e theu rekordin botëror të transferimeve në futboll, duke u zhvendosur në Paris për 222 milionë euro nga Barcelona, vitin e kaluar.