Shqipëria renditet në kategorinë me zhvillim të lartë njerëzor. Programi për Zhvillimin i Kombeve të Bashkuara, PNUD, prezantoi sot raportin për Zhvillimin Njerëzor, “Përtej të ardhurave, përtej mesatareve, përtej të sotmes. Pabarazitë në zhvillimin njerëzor në shekullin e 21-të”, sipas të cilit Shqipëria renditet e 69-ta mes 187 vendeve të botës për vitin 2019.

Raporti i Zhvillimit Njerëzor për vitin 2019 (HDR) studion pabarazitë në zhvillimin njerëzor përtej të ardhurave, përtej mesatareve dhe përtej të sotmes.

Aktualisht Shqipëria kualifikohet si një vend me zhvillim të lartë njerëzor. Nga viti 1990 deri në vitin 2018, vlera e Indeksit të Zhvillimit Njerëzor (HDI) në vend është rritur nga 0,644 në 0,791, një rritje prej 23,0 %. Jetëgjatësia e pritshme në lindje është rritur me 6,6 vjet, vitet mesatare të shkollimit janë rritur me 2,2 vjet dhe vitet e pritshme të shkollimit janë rritur me 3,6 vjet. Të ardhurat kombëtare bruto (AKB) janë rritur me rreth 178,6 % nga viti 1990 deri në vitin 2018. Kur vlera ulet për shkak të pabarazisë, HDI-ja e Shqipërisë bie në 0,705, që do thotë një ulje prej 10,9 %.

Sipas raportit më të fundit global të Zhvillimit Njerëzor të UNDP-së, ndërsa vendet me të ardhura mesatare të Evropës dhe Azisë Qendrore kanë arritur standarde më të larta jetese se kurrë më parë, ndryshimet klimatike dhe problemet teknologjike mund të ngadalësojnë në mënyrë drastike përpjekjet e tyre për reduktimin e pabarazive.

“Kjo është forma e re e barazisë dhe siç përcaktohet në këtë Raport të Zhvillimit Njerëzor, pabarazia nuk është e pazgjidhshme,” thotë Administratori i UNDP, Achim Steiner.

Raporti bën një studim më të thellë të pabarazive social-ekonomike duke i analizuar ato në tre dimensione – përtej të ardhurave, përtej mesatareve dhe përtej të sotmes — dhe propozon një grup alternativash politike për adresimin e tyre.

Ndonëse rajoni në tërësi regjistron pabarazinë më të ulët mes burrave dhe grave në Indeksin e Pabarazisë Gjinore, gratë mbeten vulnerabël ndaj përjashtimit nga tregu i punës.

Një “indeks i ri i normave sociale” në raport tregon se vitet e fundit ka pasur rritje të anësisë gjinore në më shumë se gjysmën e vendeve të vlerësuara në mbarë botën.

Po ashtu, të rrezikuar janë edhe punëtorët e rinj, migrantët, të papunët afatgjatë, personat me aftësi të kufizuara, komunitetet që kanë qenë historikisht të margjinalizuar dhe banorët e zonave rurale dhe të izoluara.

Për rrjedhojë, politikat që trajtojnë anësitë themelore, normat sociale dhe strukturat vendimmarrëse janë thelbësore, argumentohet në raport. Për shembull, politikat për balancimin e shpërndarjes së kujdesit, veçanërisht për fëmijët, janë thelbësore, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e diferencës në të ardhurat mes burrave dhe grave gjatë gjithë jetës gjenerohet përpara moshës 40-vjeçare.

Përtej të ardhurave përtej mesatares, përtej të sotmes

Raporti rekomandon që politikat të shohin përtej të ardhurave, duke u fokusuar në ndërhyrjet gjatë gjithë jetës që fillojnë që përpara lindjes, duke përfshirë përmes investimeve në tregun përpara punës në të nxënit, shëndetin dhe ushqyerjen e të fëmijëve. Këto investime duhet të vazhdojnë gjatë gjithë jetës së një personi, qoftë kur ata fitojnë të ardhura në tregun e punës, edhe më pas.

Raporti argumenton gjithashtu se taksimi duhet të vlerësohet si pjesë e një sistemi politikash, duke përfshirë shpenzimet publike në shëndetësi, arsim dhe alternativa ndaj stileve të jetesës me intensitet karboni. Vlerat mesatare fshehin pabarazi të rëndësishme, citohet në raport, dhe ndërsa ato mund të jenë të dobishme në rrëfimin e një historie më të gjerë, nevojitet informacion shumë i hollësishëm për të krijuar politika që të adresojnë pabarazinë në mënyrë efikase.

Në vështrimin përtej të sotmes, në raport ngrihet pyetja se si mund të ndryshojë pabarazia në të ardhmen, veçanërisht në optikën e ndryshimeve klimatike dhe informacionit teknologjik – dy forca që duket se do të riformësojnë rezultatet e zhvillimit njerëzor gjatë shekullit të ardhshëm.

“Me ndryshimin e botës, ndryshojnë edhe pabarazitë” thotë Pedro Conceição, Drejtor i HDRO. “Lajmi i mirë është që ato nuk janë të paevitueshme. Çdo shoqëri ka një mundësi zgjedhje në lidhje me nivelin dhe llojin e pabarazive që është përgatitur të tolerojë”, tha ai.”