Vendimi i Gjykatës së Lartë për të shpëtuar nga burgu Ilir Metën pasi u kap me bllokun e zi të pazarit në dorë ka shokuar ndërkombëtarët

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) mendon se Ilir Meta duhet të ishte në burg pasi u kap me bllokun e pazarit në zyrën e Dritan Priftit. Përmes një raporti konfidencial, OSBE shkruan Gjykata e Lartë shpalli të pafajshëm ish-zëvendëskryeministrin edhe pse u kap me zë dhe figurë duke bërë pazare. Sipas raportit, “…në një tjetër çështje, Gjykata e Lartë e shpalli të pafajshëm ish-zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, ndaj të cilit ishin ngritur akuza për korrupsion. Gjykata u shpreh pas dhënies së atyre çka nga shumë vëzhgues u konsideruan si vendime të ndërmjetme të debatueshme, disa prej të cilave vështirë se mund të vihen në përputhje me ligjin, si për shembull përjashtimi nga Gjykata i regjistrimeve me zë dhe figurë dhe zbardhjes së tyre si dëshmi, caktimi i ekspertëve shqiptarë në vend të ekspertëve të huaj, apo rrëzimi i urdhrit për mbledhje provash”.

Duke marrë si shembull mënyrën se si ka shpëtuar Ilir Meta nga drejtësia, OSBE i vë një notë negative drejtësisë shqiptare. Kështu, në raport theksohet se një nga problemet kryesore mbetet mungesa e besimit te sistemi i drejtësisë, pandëshkueshmëria, sidomos ndaj zyrtarëve të lartë që sipas raportit vishen me imunitet thuajse të plotë, duke krijuar një kulturë që shoqërohet me mungesë të theksuar besimi.

Në këtë situatë të degraduar dhe të pashpresë ndërhynë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Pas pesë vitesh betejë me Ilir Metën dhe Sali Berishën, SHBA-BE kanë përgatitur terrenin për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorinë e Posaçme, të cilat pritet të marrin të pandehur Ilir Metën.

Në një tjetër raport sekret, OSBE ka shkruar se “Kryetar i LSI, ish Kryeministër dhe Zëvendëskryeministër, ka interesa në ndërtim, turizëm, materialet e ndërtimit dhe energjetikë. I dyshuar për lidhje të forta me aktorë të mafias, kryesisht nga Jugu i Shqipërisë. Ka zëra se urdhëroi të paktën dy vrasje ndërsa ishte Zëvendëskryeministër. Halit Shahini, ortak dhe korrier i Metës, dyshohet të ketë lidhje të forta me grupe kriminale në Shijak, të përfshira kryesisht në trafikun ndërkombëtar të drogës”.