Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, beson se ai është i gjykuar padrejtësisht nga njerëzit dhe thotë se gjithmonë luan futboll me qëllime të mira. Kapiteni i Spanjës, i cili të dielën ia barazoi Iker Casillasit rekordin për më së shumti paraqitje me ekipin kombëtar, shpeshherë është akuzuar se ka tentuar qëllimisht t’i lëndojë kundërshtarët.

Në finalen e edicionit 2017/18 të Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit, Ramosi ishte i përfshirë në një incident që e la Mohamed Salahun të lënduar dhe e detyroi ta lë ndeshjen në gjysmë. Ai ka marrë shumë kritika për sjelljen e tij në fushën e lojës, mirëpo 33-vjeçari së fundi theksoi se reputacioni i tij nuk është i merituar dhe se ai kurrë nuk do të tentonte ta lëndonte një tjetër futbollist.

“Unë e respektoj mendimin e të gjithëve dhe është e vërtetë që nganjëherë njerëzit më gjykojnë padrejtësisht”.

“Kur unë luaj kundër një rivali të vështirë, kjo është gjëja më emocionuese që mund të më ndodhë mua dhe kjo është diçka që unë mezi e pres”.

“Kur unë luaj kundër një sulmuesi të mirë, e kemi një duel të këndshëm dhe natyrisht që është brenda kontekstit të duhur dhe ti nuk dëshiron ta lëndosh askënd, gjithmonë e ke qëllimin dhe zemrën në vendin e duhur”.

“Është një ndeshje, ti del në fushë për të fituar dhe tentoj ta mbrosh veten, mirëpo gjithmonë ke respekt për kundërshtarin brenda vetes”.

Pasi e barazoi rekordin e Casillasit për më së shumti paraqitje për Kombëtaren e Spanjës, Ramosi bëri të ditur se ai shpreson se do t’i arrijë 200 ndeshje për ekipin kombëtar para se të pensionohet.