Komisioneri për Zgjerimin në BE, Johannes Hahn në një intervistë për mediet austriake ka folur për cështjen e negociatave, shanset që ka Shqipëria, ndërsa ka komentuar edhe debatin për drejtësinë e re në Shqipëri. Ai tha se është e padrejtë që të hedhësh akuza se është jashtë funksionit Gjykata Kushtetuese, pasi kjo sipas tij tregon se drejtësia e re ka dhënë rezultate duke iu përgjigjur në mënyrë indirekte edhe Presidentit Meta, që ka akuzuar qeverinë për këtë gjë, që sipas tij drejtësia e re u kthye në ‘Ramaformë’.

“Shqipëria ka bërë përparim të mirë këtu. Të akuzosh për shembull se nuk po punon Gjykata Kushtetuese është e padrejtë, sepse kjo tregon vetëm sesa e suksesshme ka qenë puna e komisionit të ngritur për të larguar prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar nga sistemi” tha ai. Por sa shanse ka Shqipëria që të marrë dritën jeshile për hapjen e negociatave pas krizës politike që ka mbërthyer vendin? “Për Shqipërinë për fat të keq, problemet janë tani në plan të parë, të tilla si bojkoti i opozitës, qeveria ka vështirësi në mbajtjen e një dialogu, por edhe debati me Presidentin.

Ne kemi bërë një rekomandim, por vendet anëtare të BE-së vlerësojnë gjithashtu situatën e përgjithshme politike në shtet” tha ai. Vendimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë do të merret në tetor.