Kryeministri Edi Rama uron Kosovën për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, teksa numërimi i votave është drejt fundit, ndërsa rezultati është bërë i ditur.

Kreu i qeverisë i cilëson këto zgjedhje si të suksesshme, ndërsa uron fillimisht fituesin, Albin Kurtin, si dhe të dytën në renditje, Vjosa Osmanin.

Ndërkohë, Rama nuk lë pas edhe Kadri Veselin i cili pranoi humbjen, që sipas kryeministrit ishte veprim shembullor.

“Urime Kosovës për zgjedhjet e suksesshme parlamentare! Urime Vetëvendosjes e Albin Kurtit për rezultatin më të mirë. Urime LDK e Vjosa Osmanit për rezultatin e dytë më të mirë. Urime PDK e Kadri Veselit për pranimin shembullor të rezultatit. Sa më e mbarë dita e re për Kosovën’, shkruan Rama.