Kryeministri Rama nga Kolonja ku po mban fushatën elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit, tha ndër të tjera se PS arriti të fitojë më 2013 përballë Sali Berishës, që siç tha, kishte disa emra të rëndësishëm në qeverisje si Ridvan Bode, Jozefina Topalli etj.

Rama u shpreh se Berisha u rrëzua nga pushteti më 2013, në kohën që po të dilje të protestoje kishte mundësi të të vinte plumbi kokës. Ai shtoi se kur u mund Berisha, jo më nuk mundeshka sot Basha.

“Ne mundëm Berishën, kur kishte Boden, Jozefinën, kishte ca emra vërtetë që kishin autoritetet, ndërsa ne nuk mundkemi Lulin. Ka njeri që mund ta mendojë se partia e Lulit është më e fortë se ajo e Saliut, që Saliu kishte pushtet që po të dilje në protestë kishte gjasa të fuste plumbin. Na duheshkan tani votat që të mundim Lulin? Kjo është absurde”, tha Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se koha që t’i hapet rruga Berishës ka mbaruar.

“Saliu është një i mbaruar. Mbarimi i tij është në zhvillim e sipër. Saliu edhe të tjerët vetëm po shkatërrojnë Shqipërinë dhe imazhin e vendit. Është mësuar Saliu që socialistët thotë janë njerëz të butë, do lëshojnë. Por boll më, nuk do i hapim rrugë budallait”, shtoi Rama.