Nga Kamza, kryeministri Edi Rama thumboi kryebashkiakun demokrat Xhelal Mziu për investimet në infrastrukturë.

Gjatë takimit me të rinj në kuadër të anëtarësimeve të reja në PS, Rama tha se rruga atje i kujtoi rrugët në disa zona të Tiranës kur ai sapo ishte zgjedhur kryebashkiak i Tiranës.

“Dëgjoni përditë njerëz që thonë jo vetëm që nuk merrem me politikë por as nuk dua t’ia di. Por në fakt është një iluzion sepse politika merret me ty gjithë kohës. Duke ardhur këtu më bëri përshtypje rruga, ishte si ato rrugët e zonave të Tiranës kur unë u bëra kryetar bashkie shumë vite më parë.

Në pamje të parë duket sikur ajo nuk ka lidhje me ty por në fakt ajo ka lidhje me ata që votojnë dhe me ata që nuk votojnë, me ata që angazhohen dhe me ata që nuk angazhohen.

Sa më shumë njerëz të angazhohen aq më shumë politika ndikohet prej tyre, sa më pak të angazhohen aq më shumë pjesa tjetër vuan vendimet e gabuara apo mospërfilljen e politikës.

Të marrësh pjesë nuk do të thotë domsdoshmërisht të merresh me politikë por të ndikosh për të bërë mundur gjëra që vetëm nuk i bën dot kurrë”, tha Rama.