Kryeministri Rama ka sjellë mendimin e një tjetër aktori të shquar përsa i përket çështjes së Teatrit të ri Kombëtar i cili ka nxitur jo pak debate.
Si mjaft aktorë të tjerë, edhe Petrit Malaj është pro ndërtimit të një teatri të ri.
Malaj shprehet se asnjë prej kolegëve të tij nuk është kundër ndërtimit të një godine të re dhe se Shqipëria e artistët e kanë të domosdoshme një teatër të ri bashkëkohor.

Statusi i plotë:
Aktor, pedagog dhe drejtues i katedrës së aktrimit në Akademinë e Arteve, Petrit Malaj, është një figurë e mirënjohur për publikun shqiptar, që s’ka nevojë për prezantim, po lypset të thuhet se ai i përket asaj pjese njerëzish që flasin pak dhe dallohen për vetëpërmbajtjen e tyre. Me pak fjalë po pa asnjë ngurrim, Petriti është pozicionuar qartë së bashku me shumicën dërrmuese të komunitetit teatror, në mbështetje të shembjes së karakatinës ekzistuese dhe ndërtimit të Teatrit të Ri Kombëtar
PETRIT MALAJ:
Unë nuk do të kuptoja ndonjë nga kolegët tanë apo ndonjë nga personat që ka debatuar për këtë nismë që të ishte kundër teatrit të ri. Të një teatri të ri bashkëkohor. Unë mendoj se thelbi i çështjes ka evoluar dhe gjërat po thuhen më troç: E para, që aty nuk do të cenohet trualli i Teatrit Kombëtar. Dhe e dyta, do bëhet një godinë për teatrin, vetëm për teatrin. (Lexo.al)