Kryeministri Edi Rama flet për herë të parë në emisionin ‘Repolitix’ pas draftit të Komisionit të Venecias që evidentoi se Presidenti Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën. Kreu i qeverisë thotë se tashëm i takon komisionit të posaçëm për të gjykuar mbi shkeljen e bërë dhe për të konstatuar peshën e saj.

“Nuk kam asnjë qëndrim për këtë sepse është një cështje që i takon komisionit të posaçëm dhe ka të gjithë kompetencën për të gjykuar mbi shkeljen e bërë dhe për të konstatuar peshën e kësaj shkelje. Në fund nuk do të jetë një qëndrim politik, por i formësuar mbi gjykimin e atyre që e dinë këtë punë më mirë se ne të dy.

Nuk është më puna ime, qëndrimet i kam mbajtur kur ndodhi shkelja dhe për mua tani është shumë e rëndësishme që komisioni i Venecias është shprehur, sikur unë shprehja në mënyrë të përsëritur më pyesnit si do të bëhen zgjedhje me një parti dhe u thosha asnjë parti apo një grup nuk mund të marrin peng zgjedhjet. Këtë Venecia e ka thënë e zeza mbi të bardhë dhe nuk ka asnjë diskutim se shkuarja në zgjedhje ka qenë vendim i duhur dhe se zgjedhjet janë plotësisht legjitime” tha ai.