Për Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, është e papranueshme që të ngrihet në mënyrë të padrejtë perceptimi se shqiptarët janë ata që kanë eksportuar krimin në Hollandë.

Rama solli në vëmendje deklaratën e Ministrit të Drejtësisë së Hollandës i cili iu drejtua deputetëve hollandezë me fjalët: Mos hyni në këtë histori të krimit nga shqiptarët, nuk janë shqiptarët që e kanë sjellë krimin në Hollandë.

Në replikë me gazetarët në studion e emisionit Open, Rama theksoi se nuk janë shqiptarët faktori i rritjes së kriminalitetit në Hollandë.

“Nëse më thua që shqiptarët janë arsyeja pse Roterdami është pika më nevralgjike e trafiqeve të drogës, refuzoj ta dëgjoj, të më falësh, por preferoj të jem i paditur. Është kollaj të thuash që shqiptarët kanë mësuar hollandezët çfarë është krimi, por nuk janë shqiptarët ata që kanë sjellë krimin atje. Është skandaloze që të ngrihet hipoteza se çfarë ndërtohet në Tiranë, bëhet me paratë e krimit”, tha Kryeministri.