Ne konferencen e perbashket per mediat, Kryeministri Rama krahas fushave te tjera te bashkepunimit mes Shqiperise dhe Italise, ka dhene nje lajm te mire edhe per shqiptaret qe jetojne e punojne ne Itali, teksa i ka kerkuar kryeministrit Konte drejtperdrejt (dhe ne takimin dypalesh), njohjen e sigurimeve shoqerore te shqiptareve per efekt pensioni.

Kryeministri Rama u shpreh se:

Ashtu sikundër meriton të çmohet dhe të futet në rrugën e zgjidhjes çështja e sigurimeve shoqërore të kësaj mase të madhe kontributorësh në shtetin italian (gjysmë milioni shqiptarë)

Më vjen shumë mirë që bashkëpunimi i nisur në këtë drejtim është konfirmuar nga Kryeministri dhe ne do të vazhdojmë dhe do të përshpejtojmë përpjekjet për ta përmbyllur këtë marrëveshje, që ka një rëndësi të madhe për ekonominë e këtyre familjeve, për dinjitetin e këtyre njerëzve, por edhe për miqësinë tradicionale mes dy popujve tanë.”

 

Fjala e plote e kryeministrave Rama-Conte:

 

Deklarata e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit Italian Giuseppe Conte, pas takimit mes tyre në Palazzo Chigi:

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit, i nderuar Kryeministër, i dashur Giuseppe, për këtë ftesë dhe për shprehjen kuptimplotë të një mikpritjeje të ngrohtë, në një periudhë kaq të shkurtër mes dy takimeve tona, që pasojnë njëra-tjetrën edhe si shprehje kuptimplotë e vullnetit të palëkundur të Italisë mike dhe tuajin personalisht, në mbështetje të rrugëtimit europian të Shqipërisë.

Ashtu sikundër bëra edhe gjatë takimit me Kryeministrin, dëshiroj ta bëj edhe publikisht, falënderimin e sinqertë për qëndrimin e prerë dhe përpjekjen deri në fund, nga ana e tij, në radhën e shumicës dërrmuese të vendeve të BE-së, që mbështetën çeljen e negociatave me Shqipërinë.

Fatkeqësisht, Këshilli Europian nuk arriti dot të marrë vendimin e duhur, duke i mohuar Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut atë që meritonin dhe natyrisht duke dhënë një mesazh dobësie dhe e thënë deri në fund, një mesazh pafuqie për të mbajtur premtimet nga ana e BE-së.

Por, siç e ndava dhe me Kryeministrin, Shqipëria nuk ka asnjë rrugë tjetër, përveçse asaj që është rruga e projektuar nga rilindësit tanë dhe e ndjekur vijimësisht nga populli ynë, rruga e të bashkimit të plotë me Europën.

E në këtë rrugë, ne jemi besimplotë edhe për faktin se kemi miq të mëdhenj dhe partnerë të palëkundur si Italia.

Ashtu sikundër, në këtë rrugë, ne do të vijojmë po njësoj, gjë për të cilën informova Kryeministrin edhe lidhur me përshpejtimin e procesit të reformës zgjedhore, të cilën dëshirojmë padiskutim ta kryejmë në marrëveshje me të gjitha forcat politike, por do ta përmbushnim në Parlamentin e Shqipërisë, sipas të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

E nga ana tjetër, me kënaqësi mora nga Kryeministri, mbështetjen e plotë për paketën e re antikrim dhe antikorrupsion që ne po përgatisim, ku njohuritë, dija, eksperienca e Italisë mike dhe njerëzve që do të na vihen në dispozicion janë me një vlerë të paçmueshme.

Në Itali janë gjysmë milioni shqiptarë dhe 31 mijë prej tyre janë titullarë kompanish private. Ashtu sikundër, afro 300 mijë prej tyre kontribuojnë në arkën e shtetit italian dhe nga ana tjetër 115 mijë fëmijë mësojnë në shkollat italiane, si dhe 10 mijë studentë shqiptarë në universitetet italiane, ku janë më të mirët ndër studentët e huaj, gjë që ma konfirmoi edhe Kryeministri në cilësinë e profesorit të universitetit që ka patur mundësi t’i njohë nga afër studentët shqiptarë. Për këto arsye, mendoj se meriton të falënderohet Kryeministri dhe Italia mike, për jo vetëm fjalët, por edhe veprat kuptimplota në drejtim të integrimit të plotë të shqiptarëve në Itali.

Ashtu sikundër meriton të çmohet dhe të futet në rrugën e zgjidhjes çështja e sigurimeve shoqërore të kësaj mase të madhe kontributorësh në shtetin italian.

Më vjen shumë mirë që bashkëpunimi i nisur në këtë drejtim është konfirmuar nga Kryeministri dhe ne do të vazhdojmë dhe do të përshpejtojmë përpjekjet për ta përmbyllur këtë marrëveshje, që ka një rëndësi të madhe për ekonominë e këtyre familjeve, për dinjitetin e këtyre njerëzve, por edhe për miqësinë tradicionale mes dy popujve tanë.

Së fundi, diskutuam padyshim edhe për fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik.

Italia është faktori kryesor i huaj në tregun shqiptar. Të gjitha shifrat flasin për këtë. Numri i italianëve që vizitojnë Shqipërinë vjen në rritje.

Shifrat e vetë shtetit italian për rritjen eksponenciale të turistëve italianë në Shqipëri, çdo vit, flasin vetë. Kompanitë italiane janë të mirëpritura. Disa investime strategjike për të cilat ne kemi diskutuar janë në proces dhe ne mirëpresim padyshim kompanitë e mëdha italiane që të përfshihen në këto investime. E sigurisht që vlerësojmë pa masë edhe aspektin e dijes dhe të eksperiencës që këto kompani sjellin.

Duke e falënderuar edhe njëherë përzemërsisht Kryeministrin dhe duke nënvizuar edhe sensibilitetin e shumëpritur dhe të mirëpritur nga ana jonë të shtetit italian, lidhur me komunitetin më të vjetër shqiptar në Itali, komunitetin arbëresh, si dhe angazhimin për të mbështetur këtë vlerë kulturore në tërësinë e vlerave të jashtëzakonshme të këtij vendi të bekuar siç është Italia, pres me padurim që të vazhdojmë punën e nisur.

Jam i bindur se rezultatet do të flasin vetë, qoftë për zhvillimin e mëtejshëm të vendit, qoftë në aspektin e marrëdhënieve bilaterale, qoftë edhe të forcimit të zërit të Italisë falë argumenteve dhe rezultateve të bashkëpunimit në Këshillin Europian.

Shumë faleminderit Kryeministër!

*Kryeministri Giuseppe Conte: Mirëmbrëma të gjithëve! Jam vërtetë i kënaqur të pres këtu, Kryeministrin Rama, vetëm dy javë pas vizitës sime në Tiranë. Si pasojë e vendimit të Bashkimit Europian për të shtyrë më tej përfundimet lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, unë kam pohuar në mënyrë të fortë se është fjala për një gabim historik. E ripohoj këtu, sot, prapë përpara Kryeministrit Rama dhe përpara gjithë popullit shqiptar, perspektiva e zgjerimit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor mbetet mjeti më i mirë për ta integruar plotësisht popullin shqiptar dhe të Maqedonisë së Veriut në BE dhe për të garantuar zhvillimin më të sigurt dhe të besueshëm për Shqipërinë në mënyrë të veçantë, sepse rrugëtimi i afrimit tashmë është kthyer në reforma të rëndësishme dhe do të vazhdojë dhe më tej të kthehet në reforma të tjera të vendit, të nevojshme për fuqizimin e institucioneve demokratike dhe për zhvillimin.

Është aktuale zgjidhja e krizës politike dhe institucionale të brendshme të Shqipërisë, për të plotësuar procesin reformues dhe për të pasur gjithë letrat në rregull për takimin e ardhshëm, ku vendet anëtare të BE-së do të shprehen lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë. Ajo që mund të garantojë është se Italia do të jetë në radhë të parë duke e mbështetur këtë kërkesë. Angazhimi i saj për ta mbështetur këtë kërkesë në të gjitha takimet e tjera pranë BE-së dhe do ta bëjmë këtë.

BE-ja ka një përgjegjësi të madhe, ka nisur një bashkëbisedim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe nuk mund ta ndërpresë këtë bashkëbisedim, megjithëse është fjala për një fazë preliminare, sepse nuk flasim këtu për negociata formale, ose për të vendosur nëse duam, ose nuk duam të integrojmë. Është fjala për një diskutim paraprak.

I kam ripohuar Kryeministrit Rama inkurajimin për gatishmërinë në këtë drejtim edhe të opozitës në mënyrë që të zhbllokohen aspektet kritike që e ndalojnë vazhdimin gjatë rrugës së reformave, sidomos lidhur me reformën zgjedhore. I lejoj vetes si Kryeministër i një vendi që ka një traditë të fortë miqësie me Shqipërinë, të ripohoj këtu ftesën drejtuar forcave të opozitës që të pranojnë një hapje të tillë me fryme konstruktive dhe në qoftë se më lejoni, pa parakushte.

Me Kryeministrin kemi filluar edhe temën për fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona që tashmë janë të shkëlqyera, sidomos në fushën ekonomike. Megjithëse Italia është dhe mbetet partneri i parë ekonomik dhe tregtar i Shqipërisë, ekziston vullneti i përbashkët për të punuar edhe më tej, edhe më mirë me një angazhim të fortë nga ana e të dyja vendeve. Lidhur me këtë kemi vendosur të krijojmë një komision ekonomik të përhershëm dypalësh, për të gjetur mundësi të tjera për investime ekonomike në Shqipëri nga ana e ndërmarrjeve italiane, duke marrë në shqyrtim dhe problematikat më kryesore dhe kundërshtitë që ekzistojnë midis ndërmarrjeve italiane dhe administratës shqiptare. Ky mund të jetë një instrument për të ndihmuar ndërmarrjet tona që kanë dëshirë ta fuqizojnë praninë e tyre në Shqipëri, të investojnë më shumë dhe më mirë dhe nëse kanë ndonjë shqetësim lidhur me …[e pakuptueshme] Qëllimi është që të përballojmë konkretisht edhe ato aspekte negative që kanë dalë në pah edhe vitet e fundit, që mund të krijojnë një pengesë për investime të mëtejshme italiane në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare, duke filluar nga turizmi, infrastrukturat dhe energjia.

Kemi bërë gjithashtu një analizë të bashkëpunimit tashmë të ngjeshur në fushën gjyqësore dhe të policisë, duke ripohuar edhe këtu, angazhimin për të fuqizuar edhe më tej, me vëmendje të veçantë për krimin, për luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Jam i kënaqur të mund të them këtu se kemi arritur edhe një marrëveshje në sektorin e rëndësishëm të transferimit të të burgosurve shqiptarë. Një transferim i parë është në nisje e sipër dhe do të plotësohet brenda pak kohe.

Në Itali kemi bashkësinë shqiptare jashtë Shqipërisë më të madhe dhe është një shembull i shkëlqyer integrimi. Kemi rreth 30 mijë ndërmarrje, firma të vogla e te mesme, që në Itali garantojnë një kontribut shumë të mirë për ekonominë tonë. Do të vlerësojmë bashkë edhe mundësinë për marrëveshje të mëtejshme edhe në fushën e pensioneve. Do të punojmë bashkërisht duke shkëmbyer informatat e duhura. Përsa i përket shkëmbimit midis bashkësive italiane dhe shqiptare duhet të themi se gjatë kohës ka arritur një vajtje qarkore. Kemi shumë shtetas shqiptarë që kthehen në Shqipëri, pasi mbetën shumë vite në Itali. Kjo favorizon një lëvizje të virtytshme dhe një shkëmbim përvojash dhe njohurish shumë frytdhënëse për të dyja vendet.

Në takimin e sotëm, ishim angazhuar ta bënim edhe para dy javësh kur unë isha në Tiranë, kemi diskutuar edhe për fuqizimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe të studimeve të larta. Prej kohësh, ministrat tanë kompetentë punojnë për një marrëveshje, për të arritur në firmosjen e një teksti që do të favorizojë njohjen e titujve studimore shqiptare në Itali dhe krijimin e titujve të përbashkët dhe titujve të dyfishtë, si dhe të doktoratave të bashkëqeverisur. Ne e duam shumë këtë marrëveshje, dëshirojmë shumë të arrihet kjo marrëveshje meqë do të promovojë shumë mirë intensifikimin e marrëdhënieve kulturore. Në këtë mënyrë do të përforcohet oferta akademike, duke shmangur që elementet më të mira ta lënë vendin për t’i plotësuar studimet. Do të jetë e rëndësishme gjithashtu për Shqipërinë për t’u afruar në hapësirën europiane të arsimit, si konfirmim të një rrugëtimi afrues ndaj BE-së edhe në këtë fushë. Kjo marrëveshje që shpresojmë të mund ta lidhim brenda pak kohësh do të jetë e rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, meqë të diplomuarit tanë dhe profesorët tanë do të kenë më shumë mundësi të japin mësim në një vend mik, në një vend afër Italisë. Në perspektivën e aleancës midis Italisë dhe Shqipërisë mund të jetë për ta kjo aleancë edhe një projektim më i mirë i sistemit arsimor italian në Ballkanin Perëndimor dhe në perspektivën e krijimit të një hapësire arsimore Adriatiko-Joniane.

Faleminderit Kryeministër! Italia dhe populli i Italisë do të jenë gjithmonë mikpritës ndaj jush.