Më 2 korrik hapet në Tiranë një tjetër skenë për artistët dhe ata që e duan artin.

Lajmin e ka dhënë vetë kryeministri Edi Rama në faqen e tij në “Facebook” ku thotë se është një tjetër investim i qeverisë shqiptare.

“Të hënën 2 korrik në mbrëmje hapet në Tiranë SKENA e RE #arTurbina. Një tjetër investim i qeverisë shqiptare për artistët dhe dashamirët e Teatrit, Baletit, Muzikës e Arteve Pamore” – shkruan Rama.

Më herët kreu i ekzekutivit është shprehur se “Turbina”, është emri i përkohshëm i projektit për një teatër të ri.

Ai është ndërtuar në mjedisin e rrënuar të ish-Laboratorit të Hidrologjisë.

“Një hapësirë e re ultramoderne për artin e kulturën skenike, e cila do të mbushë më tej boshllëkun e tmerrshëm që krijuan vitet e gjata të rrënimit të vazhdueshëm të infrastrukturës kulturore e të jetës artistike” – pati deklaruar Rama në fillim të punimeve.