Në një konferencë për shtyp pas “Jo”-së për hapjen e negociatave, kryeministri Edi Rama u shpreh se jo vetëm Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, por kushdo vend të kishte qenë në atë mbledhje nuk do të kishte marrë një konsensus.

Rama tha se Franca kërkon një reformim të procesit, ndërsa theksoi se Shqipëria do të vazhdojë në të njëjtën rrugë drejt plotësimit të kushteve të vendosura për procesin e integrimit.

“Janë bërë përpjekjet maksimale për të marrë atë që na takon. Këtë e ka thënë me shkrim Komisioni Europian.

Kam komunikuar edhe me presidentin e Francës dhe faktikisht nëse duam të shohim në sy të vërtetën është ajo që kam thënë prej disa kohësh, duke e parë nga të gjitha kontaktet, se procesi po shkonte drejt një përplasje qasjesh drejt Gjermanisë dhe një pjese të konsiderushme të vendeve që ishin kundër.

Kjo çështje është diskutuar dhe nuk ka pasur asnjë hapje për të gjitha ato që i keni dëgjuar edhe në konferencën për shtyp i thash më shkoqur se herët e tjera.

Franca nuk pranon të vazhdohet me të njëjtin proces. Franca kërkon një reformim të brendshëm të BE. Kjo që ka ndodhur është një rezultat i mos arritur të konsensusin mes vendeve anëtare për punët e tyre.

Nuk mund t’i shtohen bishta, jo po azilantët, jo po të tjera. Jo vetëm ne dhe Maqedonia, por kushdo vend të kishte qenë nuk do të kishte marrë konsensus sepse tema është zhvendos gjetkë.

Kemi marrë një refuzim për çeljen e negociatave mbrëmë, por asgjë më kaq. Rruga jonë është e njëjta nga ato që i kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë për vendin tonë. Ne do të vazhdojmë po njësoj me plotësimin e parakushteve të vendosur në votën po të Bundestagun për reformën zgjedhore dhe pikat e tjera”, tha Rama.

“Edhe Zvicra po të kishte aplikuar, nuk jam i sigurt nëse do t’i hapeshin negociatat mbrëmë”, vijoi ai.