Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës që po zhvillon në Itali deklaroi se në javët e ardhshme do të hapet tenderi për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, ndërsa ka interes edhe nga grupet italiane. “Në javët e ardhshme do të hapim një tender ndërkombëtar për Aeroportin e Vlorës dhe më vjen mirë që shumë grupe italiane kanë shprehur interes në këtë vazhdimësi të përbashkët” tha ai.

Ndërkohë që theksoi se po punojmë në këtë periudhë për të zgjeruar kapacitetet e porteve në Durrës dhe Vlorë. “Kemi firmosur një marrëveshje me kompaninë MSC, për të ndërtuar terminalin e parë modern për kroçerat dhe shpresojmë mirë që me ‘’Costa Crociere’’ të ecim përpara në mënyrë që të mbulojmë si Durrësin, ashtu edhe Vlorën me dy terminalë mjaft modernë” tha ai. Gjatë vizitës kryeministri Rama zhvilloi një takim në Itali edhe me homologun e tij, Conte.

Fjala e kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Shoqatës së Ndërtuesve të Anijeve (CONFITARMA)

Para së gjithash më lejoni të shpreh kënaqësinë e madhe që jam këtu dhe mundësinë për t’iu drejtuar kësaj Asambleje, duke filluar nga një fakt i njohur nga të gjithë. Në Muzeun Arkeologjik të Durrësit ka një statujë unike, me një kopje të vetme të ngjashme në Muzeun e Bolonjës, që tregon perandorin romak, Neronin, i zbukuruar nga kuaj që simbolizojnë nereidat, një nga nimfat e detit. Një statujë, në një kohë kur Shqipëria u njoh në të gjithë Perandorinë Romake si një nga provincat më të mëdha të përfshira në ndërtimin e anijeve të luftës dhe atyre tregtare.

Historia detare e Shqipërisë është e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me atë të Italisë që nga Antikiteti dhe me emrin e lashtë të vendit tonë, Iliria, 20 vite pas krijimit të CONFITARMA-s fillon edhe pushtimi modern shqiptar në det. Dhe ishte pikërisht jahti ‘’Iliria’’, një dhuratë italiane për mbretërinë shqiptare, që u shndërrua në simbolin e flotës sonë dhe të qëllimit tonë për të investuar në një sektor detar të qëndrueshëm. Nuk them asgjë të re kur nënvizoj se në dallgët e Adriatikut janë shkruar disa nga faqet më të rëndësishme të civilizimit botëror, duke u dhënë vendeve tona një sens përkatësie, madje edhe intimiteti.

Qartazi ndajmë një histori të pasur e të njëjtë, por për fat të keq duhet të kujtojmë që, nëse për Italinë, deti ka qenë shpesh hapësira e një italianizmi triumfues, për shqiptarët ka qenë një burim brenge. Sa për të dhënë një shembull, gjatë 50 viteve të një komunizmi brutal, që e bëri Shqipërinë, Korenë e Veriut të Europës, kur praktikisht deti ishte një hapësirë e ndaluar dhe në vend që të bashkonte, ndante në një mënyrë shumë brutale.

Por, pa u hedhur shumë në histori, unë dua thjeshtësisht t’ju them se sot, gjërat janë duke ndryshuar me shpejtësi dhe Italia është sot, partnerja kryesore tregtare e Shqipërisë. Nga ana tjetër, jo vetëm sipas të gjitha të dhënave zyrtare, por edhe sipas gjithçkaje që ndodh në jetën e përditshme në vendin tonë, ka gjithnjë e më shumë frymë italiane. Nga njëra anë sepse ka shumë shqiptarë që jetojnë në Itali e që e konsiderojnë këtë vend si atdhe të dytë. Nga ana tjetër janë gjithmonë e më shumë italianët që e kanë kuptuar që në vend se të presin uljen e taksave në Itali, mjafton të vijnë në Shqipëri, sepse taksat janë shumë të ulëta.

Dy fjalë për turizmin; Sipas të dhënave tuaja zyrtare, – sa i përket rritjes së përgjithshme të turizmit, e nisëm në vitin 2013 me 3 milionë turistë, vitin e fundit patëm rreth 6 milionë turistë dhe këtë vit do jenë akoma më shumë, – është fakt që ka gjithmonë e më shumë italianë që vijnë në Shqipëri. Ishin 1,6 milionë në vitin 2017 dhe gjithmonë sipas të dhënave tuaja, pa gjykuar nëse keni të dhëna të besueshme, janë 2,1 milionë, që do të thotë se është një rritje e madhe.

Siç them gjithmonë për italianët që vijnë në Shqipëri, ka gjithmonë një opinion pothuaj të përbashkët që ndodhen në një vend që ashtu si edhe Italia ka të mirat, ashtu si edhe defektet e saj. E dyta që dua të them është që ne po punojmë në këtë periudhë për të zgjeruar kapacitetet e porteve tona. Kemi firmosur një marrëveshje me kompaninë MSC, për të ndërtuar terminalin e parë modern për kroçerat dhe shpresojmë mirë që me ‘’Costa Crociere’’ të ecim përpara në mënyrë që të mbulojmë si Durrësin, ashtu edhe Vlorën me dy terminalë mjaft modernë, të konceptuar, – si përherë që nga koha e Mbretërisë shqiptare, – nga arkitektë fiorentinë.

Në javët e ardhshme do të hapim një tender ndërkombëtar për Aeroportin e Vlorës dhe më vjen mirë që shumë grupe italiane kanë shprehur interes në këtë vazhdimësi të përbashkët. Para se ta mbyll, dua t’iu falënderoj të gjithëve dhe t’u lë me këtë mesazh, se sot të investosh në Shqipëri në turizëm dhe strukturat e pritjes ka një TVSH prej 6% dhe mbi strukturat me 4-5 yje, jo vetëm një TVSH prej 6%, por edhe 10 vjet pa paguar asnjë taksë, po ashtu edhe të gjitha proceset administrative të burokracisë nuk bëhen nga investitorët, por nga strukturat e specializuara të shtetit. Janë struktura të krijuara ‘ad hoc’ për çdo investitor, për të mos humbur në labirintet e burokracisë shqiptare, që edhe pse nuk është aq e vështirë sa burokracia italiane, mbetet gjithsesi një burokraci.