Nga Albert P. Nikolla

Para pak ditësh një lajm mjaft interesant ka kaluar paksa në heshtje! Disa artistë të rinj nga Kosova dhe Serbia kanë punuar sëbashku duke e shndërruar urën e Ibrit në Mitrovicë në një kornizë të përbashkët frymëzimi artistik. Kjo veprimtari ishte në kuadrin e nismave të muraleve “Nomad”! Aq e gjetur më është dukur kjo nismë saqë mendoj se përtej dasive politike vetëm arti, ose për t’iu referuar Dostojevskij-t, “e bukura do ta shëlboje botën”! Edhe marrëdhëniet Kosovë Serbi mund t’i fusë në hullinë njerëzore vetëm e bukura e kësaj ure dhe mjaft urave të tjera njerëzore që do të ndërtohen. Organizatorët me një urti të pazankonshme në ato anë, pohojnë se problemet që hasin të dyja bashkësitë janë të njëjta dhe ata duan t’i kapërcejmë ato nëpërmjet së bukurës, artit dhe duan të harrojnë dasitë politike.

Në një situatë të ngjashme por në mjedis të ashpër politik ndodhet edhe Edi Rama kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërballkanike! Që pas fitores së parë në vitin 2013 pati dalë mbi tribalizmin politik që karakterizonte të djathtën shqiptare dhe shumicën e politikanëve kosovarë duke kryer një vizitë shtetërore në Beograd, e para e atij niveli prej shumë dekadash. Për nga vetë natyra, një artist nuk ka lidhje afektive me kufinjtë dhe madje kur kalon në një sferë tjetër veprimtarie, ndjesia artistike e kundërshtisë natyrore për kufinjtë i mbetet edhe në politikë apo kudo tjetër! Në të njëtën mënyrë, shumë kohë para Ramës, studiuesi dhe politikani Rugova kishte patur të njëjtin vizion për fqinjësinë e mirë dhe refuzimin e urrejtjes. Pati paguar një çmim jo të vogël për këtë politikë largpamëse por që kurrë nuk u tërhoq pasi ajo aksioma e shpirtit të tij politik.

Të njëjtën qasje ndaj fqinjit ka shprehur me art edhe poeti Ali Podrimja. Krimet e luftës nuk duhet harruar kurrë pasi shërbejnë për respektin e së vërtetës, por përballë këtyre krimeve ne shqiptarët mund të dëshmojmë se jemi për drejtësinë, në respekt të së vërtetës historike. Podrimja na jep një mësim i mirë se si duhet të qasemi ndaj fqinjit! Ishte vetëm18 vjeç kur shkroi këtë poezi: “Zgjata dorën në livadh lulen me këputë / “Mos – fqiu im i dashur më bërtiti – / – do të vyshket! /… / Unë qava me mall edhe atëherë. / Hodha dorën në gjithësi me pikëllim. / Çel e mshel sytë dritë m’u bë. / “I lumi ti!” – dikush më bërtiti në përqafime kurrgjë tjetër s’pashë as ndjeva. / Sot e atë ditë, kudo e kërkoj fqiun tim të mirë.” (Bukuria).

Kjo qasje na duhet sot ndaj fqinjëve. Me shpirtin e poetit jemi në rrugën e drejtë, pasi është e vetmja rrugë që na bashkon me shpirtin europian të demokracisë e të mbrojtjes së dinjitetit të secilit person sepse në fund të fundit cergatar është njëriu në këtë botë! Pjesa më e madhe e politianëve të sotëm kosovarë e kanë lënë mënjanë trashëgiminë politike të Rugovës dhe me një mendësi prej llogoreje kundërshtojnë haptazi çdo përpjekje të Ramës për kapërcimin e muromanisë (mania për të ndërtuar murë ndarëse!) ballkanike. Ata kërkojnë që çdo gjë të nisë nga Kosova dhe pastaj të bëhet e realizueshme në nivel ballkanik. Kjo është mendësi provinciale dhe në arealin gjeopolitik askush nuk e përqafon. Jo më kot nisma e Ramës për qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave është përqafuar pa rezerva nga SHBA dhe BE. Nisma duhet të jetë e tillë siç e ka propozuar Rama: pas asnjë shtet protagonist, të gjithë njësoj e të barabartë. P. Coelho thonte se nga cilado anë ta shikosh malin, ai do të duket i ndryshëm; edhe pse është përherë i njëjti mal; në të njëtën mënyrë secili shtet duhet të lërë mënjanë vizionin e ngushtë të tijin për t’u hapur ndaj përbashkueses ballkanike. Nuk ka rrugë tjetër veç komunikimit mirëkuptues dhe në këtë pikë rol të jashtëzkonshëm ka edhe kultura.

Kultura është një ndër konceptet më interesante antropologjike e njëherazi ndër më të ndërlikuarat. Antropologu E. Tylor e konceptonte atë si shuma e njohjeve, besimeve, zakoneve, artit, së drejtës, mënyrës së veshjes, të ushqyerit, botëkuptimeve morale të një personi që i përket një grupi të caktuar etnik. Ndërkohë interpretimin, ndoshta më të saktë, e ka dhënë antropologu tjetër i shquar, C. Geertz. “Koncepti i kulturës … është thelbësisht semiotik. Bashkëndaj qëndrimin e Maks Ëeberit që njeriu është si një kafshë që ka rënë në rrjetën e kuptimeve që ai vetë ka thurur. Pohoj se kultura konsiston te kjo rrjetë dhe për këtë arsye analiza interpretuese e saj është thelbi i kulturës …” (Geertz. The Interpretation of cultures).

Duke qenë se kultura është kaq e ndërlikuar dhe me natyrë të thellë interpretuese, ja ku lind edhe baza e paragjykimeve dhe keqkuptimeve, sepse sa më shumë këndvështrime të kemi mbi një kulturë, aq më shumë interpretime të ndryshme kemi mbi të. Por pikërisht këtu duhet kuptuar thelbi i respektit që duhet të ketë secili ndaj interpretimit të kulturës së tjetrit dhe mohimi i çdo forme përbuzjeje për të. E tillë është edhe kultura e secilit popull në Ballkan: e larmishme dhe misterioze njëherazi. Për këtë arsye themelore duhet që të gjitha kulturat tona të shihen si burim i madh dialogu dhe qasja duhet ndaj tyre të jetë admiruese dhe zbuluese. Nuk ka gjë më të bukur që ne, popujt ballkanas, me një histori kaq të lashtë, të mund ta gjejmë vetveten së bashku në familjen europiane me gjithë larminë që karakterizon kulturat e tyre. Por çfarë duhet të lëmë prapa, çfarë duhet të mohojmë ne ballkanasit? Për këtë më duhet t’i referohem politikanit të shquar italian, Alcide De Gasperi, pasi aty gjej ngjashmërinë midis Ballkanit dhe Italisë:

“Për ta bashkuar Europën, ndoshta duhet më shumë të shkatërrojmë sesa të ndërtojmë; të shkatërrojmë paragjykimet, hatërmbetjet, urrejtjet. A nuk kemi bërë kështu edhe për bashkimin e Italisë, ku çdo qytet kishte mësuar vetëm të mohonte e të urrente qytetin që kishte pranë? Duhet të bëjmë të njëjtën gjë për të shkuar në Europë. Të flasim, të shkruajmë, të këmbëngulim e të mos ndalimi për asnjë moment në rrugë tonë.” (De Gasperi, A. L’Europa. Scritti e discorsi). Në të njëjtën mënyrë na duhet të veprojmë në Ballkan. Kemi pasur shumë luftëra e urrejtje si Europa e djeshme. Europa e gjeti forcën të lërë pas gjithë problemet e saj dhe të ndihet e bashkuar në vlerat e përbashkëta e në rrugën drejt së ardhmes. Veçanërisht ne shqiptarët duhet të dëshmojmë se jemi pjesë e rëndësishme e mozaikut shpirtëror ballkanik e se jemi të gatshëm ta luajmë me nder rolin tonë në këtë pjesë të Europës. Jemi, ashtu siç thoshte Papa Gjon Pali II kur fliste për Ballkanin, “njëra prej mushkërive kulturore të Europës”.

Në këtë aspekt, një rol të rëndësishëm duhet të luajë politika, duke mos projektuar problemet politike e sociale të shqiptarëve tek “armiku”. Serbët do të mbajnë përgjegjësi para historisë për krimet e tyre, por një politikë shqiptare, që të jetë e suksesshme dhe me të ardhme e vizion të qartë, duhet të jetë e ndërtuar mbi konceptin “pro” dhe jo “kundër”. Ka parti politike në spektrin politik të Kosovës dhe të Shqipërisë që thelbin ideologjik e kanë ndërtuar mbi urrejtjen për serbët dhe grekët. Mendoj se parti të tilla janë pa të ardhme, sepse vetëm partitë politike që janë “pro” shqiptarëve, që janë për zgjidhjen e problemeve të tyre, që janë për politika që kërkojnë zhdukjen e mjerimit ende të pranishëm ndër ne, që janë për respektimin e dinjitetin të secilit qytetar, do të kenë të ardhme. Vetëm komunikimi i hapur politik do ta bëjë të mundur kapërcimin e keqkuptimeve. Por për të komunikuar duhe dy persona, siç thoshte poeti libanez Gibran:“për të kuptuar të vërtetën, duhet të komunikojnë dy persona: njëri që e thotë e tjetri që e kupton”. Edhe politika kosovare duhet që me përvujtëri e urti të kuptojë hapat drejt urave që po përpiqet të ndërtojë E. Rama. Kujtoj në këtë kontekst thënien e shkrimtarit Ivo Andriç mbi urat: “Nga të gjitha gjërat që ndërton njeriu, asgjë nuk është më e bukur dhe më e vlefshme se urat. Urat janë më të rëndësishme se shtëpitë … U përkasin të gjithëve, kanë qasje të barabartë për të gjithë dhe janë ndërtuar në pikat ku nevoja njerëzore për lidhje e bashkëpunim është më e madhe”.