Nga Frrok Çupi

Pyetje kryesore është: Pse vallë kthehen po këtu, te një godinë e vjetër si barakë e periudhës së mbretit Zog, dhe këtu e ngrenë luftën kundër Amerikës?…

A nuk kishim një periudhë bajagi të gjatë që nga hera e fundit kur ‘opozita’ sulmoi me bomba e me zjarr selinë e Kuvendit? Ndoshta ka qenë fillimi i korrikut kur ‘luftëtarët e demokracisë’ nuk e përdorën me terrorizmin politik për të arritur qëllimin e marrjes së pushtetit me dhunë…

Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kërkuan njëmijë herë nga autorët e luftës që të ulnin armët, por as zoti Basha, as zonja Kryemadhi, as zoti Meta, nuk dëgjuan: Ata veç luftë e frikë! Kjo krijoji përplasjen e madhe mes ‘opozitës’ dhe aleatëve tanë jetikë të Perëndimit.

Dje u kthye prapë përplasja me Shtetet e Bashkuara, por pa bomba molotov. Dje u mblodh Kuvendi i Shqipërisë dhe zgjodhi dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, duke i hapur rrugë ringritjes së Gjykatës Kushtetuese e cila kishte dalë nga funskioni për shkak të manipulimit gjigand të saj, së pari nga politika dhe korrupsioni.

Ja që po ngrihet Gjykata Kushtetuese. Presidenti i Republikës gati plasi nga inati teksa ndodhet në Paris, nga ku deklaroi kërcënueshëm: ‘Më prisni se po vij, ua tregoj unë. Kjo është Ramaformë’, tha ai. Edhe Partia Demokratike e Bashës u sul egër kundër vendimit të Parlamentit për ringritjen e Gjykatës Kushtetuese.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës menjëherë reagoi: ‘Votimi i sotëm në Kuvend e çon përpara Shqipërinë!’

Përplasja e ‘opozitës’ me Aleatin e Madh është përsëri shumë e ashpër.

Pse po e shkruaj fjalën opozitë në thonjëza ‘opozitë’? Prej shumë kohësh partitë e quajtura ‘të opozitës’ janë disa parti familjare, me familje të rrezikuara prej krimit të tyre, që po luftojnë për të shpëtuar nga ndëshkimi. Ja kaq janë. Dikush prej tyre, më hileqari i tyre, po e shet opozitën, domethënë protestën e Kalimashit, protestën e Astirit, protestën e Teatrit…, me qëllim që të fitojë ca miliona, por edhe këto për familjen. Ja kaq janë…

Por vallë pse ‘opozita’ i ngreh armët kundër Amerikës gjithnjë në të njëjtën pikë: Te kjo godinë e vjetër, sa një barakë, e ndërtuar në periudhën e mbretit Zog dhe që tani quhet ‘Selia e Parlamentit’? Në qoftë se Amerika nuk do të kishte punë me Parlamentin, atëherë as ‘opozita’ nuk do të përplasej kurrë me Fuqinë e Madhe…

Por këtu te kjo seli e vjetër, e ndërtuar si me qerpiç qëndron forca ku ‘opozita’ zbërthehet pjesë-pjesë, pavarësisht sa shumë pasuri ka mbledhur dhe sa armë ka fabrikuar.

Herën e parë, shkurt- korrik 2019, ‘opozita’ e sulmoi me zjarr e hekur selinë e Parlamentit me qëllim që t’i vinte flakën; d.m.th, siç deklaruan liderët e ‘opozitës’ të kthejnë një situatë si në vitin 1997. Nëse do të kthehej ajo gjendje, atëherë zjarri do të digjte arkivat, dëshmitë, Shtëpinë e Ligjit pranë Fushës së Aviacionit që ka ndërtuar Amerika, etj. Atëherë fajtorët e mëdhenj të krimit e korrupsionit do të dilnin shesheve të lirë, mbi gërmadhat e vendit, dhe do të garantonin se ‘nuk ka më ndëshkim’.

Herën e dytë, kjo është dita e djeshme kur u përplasën me Amerikën, presidenti i Republikës, Zonja e Parë dhe Basha i PD, bënë tentativën e fundit që ‘Gjykata Kushtetuese të mos ringrihet’. Nëse nuk ka Gjykatë Kushtetuese, ata e dinë se nuk ka mbyllje të ciklit të ndëshkimit. President i Republikës pritet që të shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese, dhe zinxhiri vazhdon…

Por prapë rrezikun e panë në derën e kësaj godine të vjetër, gati si barakë prej qerpiçi, ku gatuhet ligji. Këta e dinë një gjë përderisa mu në Portën e Ligjit i dërgojnë ‘raketa’ Amerikës.