Kandidon për mandat të dytë: Vlorën e shpëtova nga “Venezia” disa ditore, tani do sjellim edhe aeroportin

Nga Fernada Cenko/

Partia Socialiste vazhdon me fushatën. 30 qershori nuk është larg. Pavarësisht zhdekretit të presidentit Ilir Meta, socialistët nuk ndalen. Dekretin e Metës e kanë konsideruar nul dhe në shkelje të Kushtetutës.

Kryetar i Bashkisë së Vlorës dhe kandidati i PS për një mandat të dytë, Dritan Leli thotë se datën e zgjedhjeve e vendos Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe vetë Presidenti bazuar në Kushtetutë, vendosi datën 30 qershor 2019. Në një intervistë për gazetën “TemA Javore” Leli tha se e drejta për të votuar nuk mund tu privohet qytetarëve.

Ai ka renditur arsyet se pse qytetarët duhet ta votojnë për një nga bashkitë më të mëdha në vend.

Dritan Leli ka folur edhe për kandidaten e Bindjes Demokratike Valbona Mezini ku u shpreh se sëbashku me rivalen e tij do të bëjnë një fushatë qytetare dhe do të prodhojnë një proces zgjedhor të përkryer.

Kryebashkiaku ka zbuluar edhe planin që ka për të zgjidhur problemin e përmbytjeve në qytet, pasi Vlora ishte një nga qytetet më problematike në përmbytjet e fundit që sollën pasoja të rënda tek banorët.

Jeni kandidat i PS në këto zgjedhje për një mandat të dytë, si e vlerësoni në këndvështrimin tuaj, do të merrni vota nga elektorati socialist apo do të vonoheni masivisht nga qytetarët pa dallim bindjeje?

Në këtë atipizëm të këtyre zgjedhjeve elektorale, unë mendoj që elektorati socialist do të jetë elektorati kryesor që do të votojë kandidatin e Partisë Socialiste në Vlorë, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Unë jam i bindur që mbështetja e elektoratit të majtë nuk ka për të munguar. Njëkohësisht ndihem besimplotë se të gjithë qytetarët e Vlorës, të cilët kanë prekur ndryshimin e madh në këto 4 vite, do të bëhen pjesë e votës në 30 qershor për kandidatin e Partisë Socialiste.

Pse duhet t’ju votojë një qytetar i paanshëm, i cili nuk i përket PS?

Sepse në këto 4 vite ka parë impenjimin maksimal të kryetarit të bashkisë që ka bërë çdo punë në këtë qytet, pa pyetur për bindjet politike të asnjë qytetari, por përkundrazi duke ju shërbyer të gjithë qytetarëve me çdo punë publike të realizuar në territor, të cilat kanë ndryshuar jetën jo vetëm të votuesve të majtë, apo të atyre të Partisë Socialiste, por të gjithë banorëve të Vlorës pa dallim të bindjeve të tyre politike. Thirrja ime në këto zgjedhje është: Qytetarët duhet të mposhtin indiferencën dhe të dalin të votojnë të gjithë për të shprehur vullnetin e tyre.

Vlora ka ndryshuar këto 6 vjet që qeveris PS në pushtetin Qendror falë investimeve të saj, cili është investimi i bërë nga të ardhurat e Bashkisë këto 4 vite?

Unë jam menaxheri i qytetit dhe në këto 4 vite e kam drejtuar qytetin duke përdorur mundësitë e investimeve nga buxheti i Bashkisë, duke ndërtuar projekte ambicioze, me të cilët kemi aplikuar pranë Qeverisë Shqiptare dhe Institucioneve Ndërkombëtare. Këto projekte kanë qenë të një standardi të lartë, konkurruese e fizibël, dhe për këtë arsye janë mbështetur nga Qeveria dhe donatorët.

Në katër vitet e ardhshme do të kemi Aeroportin e Vlorës, Spitalin Rajonal dhe Portin e rikonstruktuar. Me këto investime Vlora po shndërrohet në një qytet europian, tërheqës për t’u banuar jo vetëm nga shtetasit shqiptarë, por edhe nga qytetarët e huaj. Të gjitha këto investime kanë mbërritur në territor falë menaxhimit dhe klimës pozitive që kemi krijuar në këto katër vite duke bërë të mundur që të tërheqim gjithmonë e më shumë investime për Vlorën. Investimet janë shumë planëshe, kanë filluar në këtë katër vjeçar dhe do të konsolidohen në mandatin e ardhshëm. Fokusi do të jetë në drejtim të furnizimit me ujë të pijshëm, ku falë financimit të siguruar nga Banka Gjermane dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, do të investohen rreth 50 mln euro.

Njëkohësisht do të zgjidhim përfundimisht një nga problemet më të mëdha të qytetit, menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane, përmes ndërtimit të një landfilli të ri me vlerë rreth 25 mln euro, financuar nga KfW. Punimet për landfillin do të nisin brenda këtij viti dhe do të përfundojnë brenda mandatit.

Një element i rëndësishëm do të jetë edhe tërheqja e investimeve private vendase apo të huaja. Sot jemi një nga qytetet më atraktive në fushën e investimeve dhe do të jemi edhe më atraktivë në mandatin e ardhshëm. Katër vite më parë i premtova vlonjatëve se vlera e pasurive të tyre të paluajtshme do të dyfishohej. Sot vlera e pasurive është dy apo trefishuar në sajë të investimeve dhe përmirësimeve të rëndësishme në infrastrukturë. Deri në fund të mandatit të dytë do të shihni surpriza.

Keni plan konkret për financa dhe financa konkrete për të zgjidhur problemin e përmbytjeve në qytet dhe pse nuk është realizuar në këto katër vjet?

Me problemin e përmbytjeve jam përballur që në tre muajt e parë të punës time si kryetar i Bashkisë Vlorë. Në këtë periudhë kanë ndodhur tre përmbytjet më të vështira në historinë e këtij qyteti, njëra prej të cilave e ngjashme me atë që kishte ndodhur thuajse tridhjetë vite më parë. Së bashku me stafin e bashkisë kemi punuar intensivisht për të zgjidhur këtë.(TemA Javore)