Me propozim të kryeministrit Edi Rama, në Kuvendin e Shqipërisë do të depozitohet brenda disa ditëve një nismë ligjore për amnistinë e grave të burgosura. Për hartimin e draftit, me të gjitha modalitetet, kriteret dhe kategoritë që do të përfitojnë, është ngritur një grup pune në Ministrinë e Drejtësisë. Në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve, të datës 8 nëntor, ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali informoi kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçin për nismën e amnistisë dhe fazën në të cilët ndodhet.

“Prej më shumë se një muaji është ngritur një grup pune në Ministrinë e Drejtësisë nën drejtimin e ministres për të sjellë në qeveri dhe më pas në Kuvend një nismë për amnistinë, kryesisht për gratë e burgosura. Ka padrejtësi sistemike në të gjithë strukturën e sistemit të drejtësisë, në raport me gratë e dënuara dhe me radhë. Do të adresohet dhe shumë shpejt do të vijë brenda vitit me propozim të Kryeministrit një nismë për amnistinë”, është shprehur Spiropali.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi i kërkoi qeverisë që këtë ndjeshmëri të mos e këtë vetëm për gratë. “Ndjeshmërinë të mos e keni vetëm për gratë, diskriminime nuk ka për çështje të tilla, as për gratë, as për burrat. Unë i kam dëgjuar këto diskutime. Të gjitha gratë dalin jashtë”, është shprehur Ruçi.

Por sipas Spiropalit “Me gjithë respektin 98% e vrasësve të grave janë burra, pra nuk besoj se ka vend për ndjeshmëri të madhe në këtë rast, ndërkohë që shumica e atyre që dënohen janë ato që vetëmbrohen. Prandaj lind nevoja për ta adresuar këtë padrejtësi”. Paraprakisht mësohet se do të lirohen nga burgu të gjitha gratë e dënuara për vepra të ndryshme penale, të cilët kanë mbushur moshën 55 vjeç. Gjithashtu, pritet të përfitojnë nga amnistia gratë e burgosura, të cilat janë dënuar deri në tre vjet burg si dhe ato që u ka mbetur më pas se tre vjet kohë për të vuajtur dënimin. Gjithashtu pritet të përfitojnë edhe gratë të cilat kanë fëmijë të mitur.

Megjithatë, një amnisti e përgjithshme për të gjitha gratë është e pamundur për shkak të parashikimeve ndaluese në Kodin Penal. Legjislacioni parashikon një grup veprash penale, autorët e të cilave nuk mund të përfitojnë kurrë amnisti, pavarësisht gjinisë. Në fillim të vitit 2017, Kuvendi ndryshoi Kodin Penal, duke zgjeruar veprat penale, të cilat nuk amnistohen kurrë, duke përfshirë vrasjet. Konkretisht janë përjashtuar nga amnistia vrasja me dashje në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, vrasja me dashje e kryer kundër dy ose më shumë personave dhe vrasja me dashje e kryer më shumë se një herë, vrasja me dashje, që paraprin, shoqëron, fsheh ose pason një krim tjetër, vrasja me paramendim, vrasja e kryer për interes apo hakmarrje, vrasja me dashje për gjakmarrje, vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit, vrasja e dëshmitarit, vrasja e personit me mangësi fizike ose psikike etj.

Diskutimet në Konferencën e Kryetarëve për amnistinë

Gramoz Ruçi: Ka ndonjë gjë tjetër? Nuk ka gjë tjetër për kalendarin. Për 4 çështjet që u trajtuan këtu, propozimi i z. Ahmetaj, konsiderohet, të hiqet nga kalendari dhe të kalojë në program dhe të parashikohet kur të jetë gati qeveria. Propozimi i z. Manja dhe i zonjës Hajdari: 3 projektligjet në fjalë që u trajtuan nga z. Manja dhe zonja Hajdari të kalojnë për dhënie mendimi edhe të Komisioni i Ligjeve, edhe të Komisioni për Integrimin. Lidhur me amnistinë, nuk kemi nismë të kësaj natyre.

Elisa Spiropali: Prej më shumë se një muaji është ngritur një grup pune në Ministrinë e Drejtësisë nën drejtimin e ministres për të sjellë në qeveri dhe më pas në Kuvend një nismë për amnistinë, kryesisht për gratë e burgosura. Ka padrejtësi sistemike në të gjithë strukturën e sistemit të drejtësisë, në raport me gratë e dënuara dhe me radhë. Do të adresohet dhe shumë shpejt do të vijë brenda vitit me propozim të Kryeministrit një nismë për amnistinë.

Gramoz Ruçi: Zonja Ministre, mos më thoni ato që keni ndër mend. Unë këtu jam në institucion, nuk ka nismë për amnistinë.

Elisa Spiropali: Nuk ka të depozituar ende, por po flas…

Gramoz Ruçi: Më fal! Se çfarë keni ndër mend, mbajeni ndër mend, atë që keni ndërmend kthejeni në letra, në nisma dhe silleni këtu.

Elisa Spiropali: Thashë vetëm për afatet, pra që do të vijë brenda vitit.

Gramoz Ruçi: Mirë, kur të vijë, atëherë edhe ne do të mblidhemi dhe do të bëjmë kalendarin.

Elisa Spiropali: Meqenëse kishte ndjeshmëri zonja Hajdari thashë ta adresoj si çështje.

Gramoz Ruçi: Zonja Hajdari ka ndjeshmëri, mirë bën që e ka ndjeshmërinë dhe ju ta keni ndjeshmërinë. Ndjeshmërinë të mos e keni vetëm për gratë, diskriminime nuk ka për çështje të tilla, as për gratë, as për burrat. Unë i kam dëgjuar këto diskutime. Të gjitha gratë dalin jashtë.

Elisa Spiropali: Me gjithë respektin 98% e vrasësve të grave janë burra, pra nuk besoj se ka vend për ndjeshmëri të madhe në këtë rast, ndërkohë që shumica e atyre që dënohen janë ato që vetëmbrohen. Prandaj lind nevoja për ta adresuar këtë padrejtësi.

Gamoz Ruçi: Kur të mbroni nismën, jepini të gjitha këto argumente, sot nuk ka nismë. Je përfaqësuese e qeverisë, por nuk ka nismë. Sillni nismën!

Elisa Spiropali: Nuk është depozituar, por do të vijë në Kuvend shumë shpejt.