Nisi nga Fakulteti i Inxhinerisë së Mjedisit në Tiranë nisma “Qesja e fundit”, për të eliminuar qeset plastike deri në 1 qershor 2020. Në auditorin me studentë dhe drejtues të këtij fakulteti ministri Klosi kërkoi aleancën me studentët për t’i thënë stop ndotjes dhe për të refuzuar përdorimin e qeses plastike në Shqipëri.

“Ka ardhur koha që të bëhet një pakt kombëtar për Shqipërinë e pastër. Nga fillimi i këtij viti të refuzojmë prodhimin dhe importimin e qeseve dhe nga 1 qershori 2020, ne të jemi vendi i parë europian pa qese plastike, për të shkuar më pas në refuzimin e plastikës një përdorimëshme”, tha Klosi. Duke folur për zhvillimin e turizmit dhe ndikimin e mjedisit, ministri Klosi tha se problemi më i madh mbetet pastërtia dhe treguesi më i dukshëm janë qeset plastike që e bëjnë pis Shqipërinë.

Kapitulli i mjedisit është më i vështiri në kuadër të hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Te standardet e mjedisit partnerët tanë janë shumë striktë dhe ne duhet të ndryshojmë sistemin- tha ministri Klosi duke iu referuar edhe reformës në institucionet mjedisore të cilat duhet të mbajnë fokusin te ndotësit e mëdhenj.

Profesorati i fakultetit të Inxhinierisë së Mjedisit dhe studentët shprehën përkrahjen për këtë nismë si dhe për politikat më të fundit për një mjedis të pastër dhe të mbrojtur.