E gjithë narrativa rebeluese e opozitës, dhe e sidomos presidentit Meta kundër ndërkombëtarëve, përmban dhe një lloj ambiguiteti dukshëm dhe qartëkuptushëm hileqar; atë që tenton të ndajë “disa ambasadorë” nga politika e BE-së dhe e SHBA-së.

Kjo bëri që në një reagim nervoz nga ana e Metës në oborrin e presidencës, brenda tre fjalive, amerikanët të shpalleshin “si shpirt”, e pak më tutje të flitej për “ca palaço”prej tyre. Më qartë, në çdo qëndrim, në çdo deklaratë, e jo vetëm sot, tentohet të përcillet ideja se janë vetëm disa ambsadorë ata që po veprojnë keq, thënë ndryshe po dëmtojnë Reformën në Drejtësi si të shitur te Edi Rama, e jo politikat në Bruksel e Uashington, sa i përket zhvillimeve shqiptare.

Eshtë luajtur kjo kartë që kur nisi sulmi ndaj dyshes Lu-Vllahutin. Për të dy, tentohet diversioni për t’i shitur në opinion si raste përjashtimore të dy njerëzve që nuk refletonin në qëndrimet e tyre qendrat prejnga vinin. Madje Lu, u shkarkua disa herë virtualisht, me arsyetimin provincial se Uashigtoni po e ndëshkonte për proçkat e tyre në Tiranë.

Siç u pa me kohën, dhe siç normalisht ndodh, as njëri e as tjetri, në asnjë rast nuk u provua se nuk ishin në sinkron me qendrat e tyre në qëndrimet ndaj Reformës në Drejtësi. Ajo që opozita e Meta aludojnë, ose spekullojnë, nuk ka asnjë mundësi të ndodhë. Së paku të ofrojnë ndonjë precedent se kur ka ndodhur që ambasadorët e Perëndimit të mos kenë zbatuar ose zbatuar përsëprapthi politikat e vendeve të tyre.

Ndërkohë, në dy rastet më të fundit, si me Brukselin e si me Uashigtonin, nuk janë sulmuar ambasadorë të këtushëm por rezidentë në dy qendrat e Perëndimit. Bëhet fjalë për zëdhënësen Koçijançiç, pas deklarimit të kësaj të fundit kundër dekretimit të Xhaferrllarit në Kushtetuese, si dhe për rastin e Mettheë Palmerit pas një telefonate me Metën.

Do ishte më burrërore e sigurisht më dinjitoze, që të shprehej qartësisht mosdakortësia me ndërkombëtarët për qëndrimet e tyre, pa u tentuar fyerja e inteligjencës me minimale të publikut në këtë qasje diversioniste. S’mundet që të jesh “edhe si shpirt” edhe si palaço. O njëra o tjetra! (tesheshi)