Ka një shqetësim për pyjet tropikalë të Amazonës. Patjetër, Elisabetta Franchi, stilistja italiane me super masa të vogla, ka ditë që vuan në Instagram dhe poston foto me kafshët e trishtuara, me këlyshët e ngordhur.

Macron ka reaguar dhe thotë se në Samitin e G7-ës do flasim veçanërisht për zjarret. Presidenti i Brazilit është mërzitur se ata nuk marrin pjesë dhe ka nga ata që po akuzojnë fermerët, disa të tjerë OJQ- të për zjarret në atë që e quajmë mushkëria e botës. Pyjet e Amazonës shtrihen në Amerikën Jugore, Brazil, Peru, Bolivi, Ekuador, Kolumbi. Janë miliona kafshë, rreth 1 milion popullsi indigjene dhe ajri i botës vjen sidomos nga atje, të paktën 1/5 e oksigjenit të botës.

Pyjet e Amazonës janë një pasuri e tokës ku jetojmë, por super-vëmendja jonë bëhet qesharake, edhe më shumë kur rainforest e përkthejmë “pylli i shiut”. Janë pyje tropikalë dhe shiu është shenjë tipike e kësaj klime, ku 5 minuta bie shi, 5 minuta del dielli – e thënë thjesht.

Disa nuk e përkthejnë as saktë por e postojnë ngaqë e postojnë të gjithë dhe për shkak se një postim për mjedisin, kafshët e sidomos për diçka që nuk ndodh në Shqipëri të bën njeri të kultivuar, të paktën të dukesh i tillë është si modë, edhe pse në realitet nga nevoja për t’u dukur intelektual që merresh me çështje sipërore mund të përfundosh qesharak.

Pyetja lind: a do fillojmë të bëhemi seriozë e të merremi me punët tona pak më shumë sesa me çështjet botërore? (Tiranapost.al)