Nga Ardit Rada

Me fillimin e shtatorit, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi u janë ‘turrur’ fuqishëm mediave.

Si për të mbajtur premtimin se këtë muaj do të na sillinin risi, dy bashkëkrerët e opozitës joparlamentare e prishën qetësinë e një festë zyrtare si 5 Shtatori. Sigurisht, që ‘goja u la’ për Nënë Terezën që në orët e para të mëngjesit. Përmes postimeve në rrjetet sociale ka qenë Basha i pari që bëri hartimin e rastit për të na përcjellë mesazhet e Shën Terezës dhe duke i kthyer në funksion të kauzës së vet dhe etjes për pushtet. Kush nuk e ka lexuar ende, Basha vuri në gojën e tij fjalët e Saj për varfërinë, fatin dhe reflektimin.

Më pas, kryetarja e LSI në vend që të ishte me të shoqin në Kishën e Bizës, e kërkoi edhe ajo në Facebook bekimin e Nënës Terezë që t’u hapë sytë shqiptarëve duke kërkuar edhe ndriçim për më të mirën e Shqipërisë. Dhe e gjithë kjo shpresë nga personi që në 15 vite pronare partie, ka qeverisur 20 vjet.

Sot, opozita ka prishur ditën e festës zyrtare për një çështje tejet banale. Raportin e OSBE/ODIHR për 30 Qeshorin. Përmes deklaratave për shtyp, Basha dhe Kryemadhi shpjeguan edhe një herë përse nuk morën pjesë në zgjedhje, sesi falë tyre u shmang dhuna dhe pse Edi Rama i ka mbushur ditët e pushtetit.

Në fakt, e gjithë kjo mungesë respekti ndaj Nënë Terezës dhe shqiptarëve që do donin pak qetësi nga politika, ka vetëm një arsye. Pas pushimeve në Holandë a Prevallë, Bashës dhe Kryemadhit u duhet të mbajnë premtimin për shtatorin.

Kur një muaj më parë, Lulzim Basha tha se shtatori do të ketë surpriza, me siguri nuk e kishte për ta nisur që sot planin e tij. Por ja që dëshira për pushtet mesa duket është me e madhe sesa respekti për Terezën dhe shqiptarët që duan një ditë të vetme qetësie larg kaosit politik që ka shkaktuar kjo opozitë së paku prej shkurtit.

Më kot nuk e tha sot Imzot George Frendo në meshën e rastit: Të lutemi për ata që kanë përgjegjësi për gjendjen në Shqipëri.

Po kujt t’ia thuash!