Kalaja e Prezës është një destinacion historik dhe kulturor shumë pranë kryeqytetit. Në këtë kala kanë nisur punimet restauruese nga restauruesit e DRKK Durrës për ta kthyer këtë vend në një atraksion turistik të denjë për turistët vendas dhe të huaj. Punimet e restaurimit në Kalanë e Prezës po shkojnë drejt përfundimit. Së shpejti ky monument do të ketë pamjen që meriton, me ambjente të rijetëzuara duke ruajtur traditën dhe vlerën e saj.

Kalaja e Prezës ndodhet 277 metra mbi nivelin e detit dhe sipas historianëve dhe arkeologëve shqiptarë e të huaj ka filluar të ndërtohet rreth 2400 vjet më parë. Ajo ka një gjatësi 80 metra, gjerësi 50 metra dhe trashësia e mureve deri 1,4 metra. Nga kalaja e Prezës shikohet kalaja e Lezhës, Krujës, Ishmit, Petrelës, mali i Dajtit, mali i Tomorrit dhe deti Adriatik.

Përveç luftërave të shumta të zhvilluara në kalanë e Prezës, sipas historianit Marin Barleti më 26 janar 1445, në kalanë e Prezës është bërë dasma e martesës të motrës së vogël të Skënderbeut, Mamicës me Muzak Topinë.