Në Fushë -Krujë vijon me ritme të larta puna për sistemimin e Lumit të Zezës, bekimi i kësaj zone, që deri vonë ishte kthyer në mallkim. Lumi është furnizuesi kryesor me ujë i një prej kanioneve më të veçanta që ndodhet pranë fshatit Nikël, një orë larg nga Tirana dhe së fundmi një atraksion i ri për turistët vendas dhe të huaj.

Por prej kohësh lumi i Zezës ishte kthyer në makthin e 1,800 familjeve dhe 100 bizneseve që përmbyteshin rregullisht gjatë periudhës tetor-maj. Kjo jo vetëm për shkak të prurjeve të larta në pellgun e lumit, por edhe për shkak të problematikave në infrastrukturë.

Sistemimi i Lumit të Zezës është projekti më i fundit që Fondi Shqiptar i Zhvillimit po zbaton në këtë zone për llogari të qeverisë shqiptare. Krahas 2 urave të reja pjesë e investimit janë edhe ndërtimi i kanaleve kulluese, pajisja dhe funksionimi me pompa të përkohshme, si dhe pajisje të tjera të nevojshme për të kulluar dhe zhvendosur ujin.

Ky projekt synon të zgjidhë në mënyrë përfundimtare problemin e përmbytjeve dhe të krijojë lehtësi ne qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve. Falë një investimi prej 441.897.654 lekë të financuara nga Qeveria shqiptare, projekti parashikon zgjerimin e shtratit të lumit, thellimin e tij, mbrojtje lumore dhe ndërtimin e një ure të re në qendër të qytetit.

Kjo për faktin, se këmbët e urës aktuale janë një nga shkaqet që uji del në qytet, si pasojë e grumbullimit të materialeve që sjell lumi, duke penguar kalimin e tyre dhe “fryrjen” e lumit.

Ky investim do të shtrihet në një gjatësi prej 5 km, duke filluar nga fshati Larushk – qytetin e Fushë-Krujës dhe përfunduar në fshatin Derven. Ky projekt ka nisur në muajin mars 2019 dhe pritet të përfundojë në korrik 2020.