Gjatë muajit të fundit u punësuan 106 infermierë dhe teknikë të shkencave mjekësore teknike në qendrat shëndetësore dhe spitale në të gjithë vendin.

“Ju jeni 106 të punësuarit gjatë këtij muaji nga konkursi i tretë në portalin “Infermierë për Shqipërinë” në bazë të merititës, dijeve dhe eskperiencës tuaj. Ndërkohë që janë 324 të punësuar në tre muajt e fundit nga veriu në jug, në sitemin shëndetësor publik në të gjithë vendin me meritokraci dhe transparencë” – tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë takimit me infermierët e punësuar rishtazi, tha se portali “Infermierë për Shqipërinë” do të përfshihet në ligjin e ri për kujdesin shëndetësor.

“Portali “Infermierë për Shqipërinë” do të përfshihet në ligjin e ri për kujdesin shëndetësor duke ligjërojmë kështu këtë mënyrë transparente punësimi, që i jep hakun që i takon gjithësecilit dhe i siguron sistemit shëndetësor të përzgjedhë më të mirët” – deklaroi Manastirliu.

Manastirliu lajmëroi ndryshimin në ligjin e ri të kujdesit shëndetësor për edukimin në vazhdim.

“Ne kemi vendosur që edukimi në vazhdim nuk do të jetë më vetëm detyrë për t’u përmbushur nga profesionistët, por do të jetë detyrim i institucioneve shëndetësore. Sepse në ligjin e ri të kujdesit shëndetësor e kemi përcaktuar edukimin në vazhdim si detyrim i institucioneve për t’jua mundësuar dhe nëse jo, do të penalizohen drejtuesit e institucioneve shëndetësore”, tha Manastirliu.

Ministrja garantoi të punësuarit e rinj në sistemin shëndetësor publik se licensimi i tyre dhe mbledhja e krediteve do të kryhen ne të njëjtën kohë, ndryshe nga si kishte ndodhur deri më sot dhe kjo do të përcaktohet në ligjin e ri të kujdesit shëndetësor.

Në tre konkurset e Portalit “Infermierë për Shqipërinë” kanë aplikuar 4.258 aplikantë dhe kanë fituar 2.928 kandidatë. Aktualisht janë punësuar 1.331 kandidatë, ndërkohë që janë në pritje për tu punësuar edhe 1.597 kandidatë fitues.