Departamenti i Administratës Publike ka publikuar sot vendet e lira në administratë në bazë të llojit të diplomës për punësimin e studentëve ekselentë.

Në thirrjen e dytë për punësimin e ekselentëve, DAP sqaron se administratës shtetërore i duhen juristë, inxhinierë, ekonomistë e shumë profesionistë të tjerë.

Platforma tanimë dedikuar më të mirëve në mësime, në thirrjen e dytë ka rezervuar 219 vendet e lira ku shkencat natyrore, ato inxhinierike dhe shkencat e mjedisi mbajnë numrin më të lartë, pasuar nga studentët që janë pajisur me një diplomë në shkencat juridike dhe ekonomike.

“Administratës i duhen juristë ekselentë, inxhinierë ekselentë, ekonomistë ekselentë, etj! Apliko dhe ti për 219 vendet e lira, sipas llojit tënd të diplomës në platformën “punetembare.al”, apelon Departamenti i Administratës Publike.

Çdo student i shkëlqyer në rezultate akademike që është në kërkim të një vendi pune mund të aplikojë në platformën ‘punetembare.al’ për t’u punësuar pa konkurs.

Punësimi i tyre në administratë është një proces i nisur në kuadër të Paktit për Universitetit dhe nismës “Administrata që Duam”.

Vende të lira në bazë të llojit të diplomës:

Shkenca Agronomike: 19,

Arkitekturë, Planifikim Urban, Planifikim Territori, Urbanistikë: 7

Shkenca Natyrore, Shkenca Inxhinierike, Shkenca Mjedisi: 63

Gjeodezi, Gjeoinformatikë, Gjeologji, Gjeologji Minierash: 4

Histori-Filologji, Shkenca Politike, Shkenca komunikimi: 4

Infermieri: 1

Mjekësi e Përgjithshme: 12

Psikologji, Punë Sociale, Sociologji, Shkenca Juridike: 3

Shkenca Ekonomike: 35

Shkenca Juridike: 22

Shkenca Ekonomike, Shkenca Juridike: 26

Shkenca Kompjuterike: 10

Shkenca Shoqërore: 9

Zootekni: 4