Alfred Peza

Konferenca me gazetarët e Lulzim Bashës zyrtarizoi faktin se PD ndryshe nga LSI, nuk do ta zbatojë dekretin dhe nuk do të hyjë në ato që Ilir Meta, i quan zgjedhjet e 13 tetorit. Data 5 gusht, ishte afati i fundit i regjistrimit të partive politike në KQZ, sipas Presidencës. Por, PD as nuk tentoi që ta dorëzonte kërkesën e saj, qoftë edhe formalisht. Duke hedhur përfundimisht dritë në këtë mënyrë, edhe mbi skutën e fundit të errët, brenda “Opozitës së Bashkuar”.

Fakti që PD nuk hyri në zgjedhjet e 30 Qershorit, sepse i quajti ato antikushtetuese pasi po bëheshin pa opozitën kryesore të vendit dhe nuk futet as në këto të 13 tetorit të cilat i quan kushtetuese, tregon se Berisha dhe Basha e kanë bojkotin, një strategji. Ata nuk hyjnë në zgjedhje se nuk duan që të hyjnë dhe jo se kanë ndonjë arësye reale. Çka tregon se parullat e përdorura prej tyre për “mungesë standardesh” dhe për “betejën morale të votës së lirë”, ishin thjeshtë broçkulla.

Me sqarimin e pozicionit të PD në raport me dekretin e Ilir Metës për 13 tetorin, u qartësua përfundimisht jo vetëm roli i tij, por edhe pozicioni i LSI në hierarkinë e opozitës së rrugës. Sali Berisha nëpërmjet Lulzim Bashës, i tregoi Ilir Metës se e ka të kotë që e përdorur institucionin e Presidencës për të bërë protagonistin duke marë flamurin e liderit “de facto” të opozitës jashtparlamentare dhe duke marë pozat e një politikani që po tenton ta rikthejë atë, brenda sistemit politik të vendit.

Edhe më i fundit që nuk e dinte, e kuptoi tashmë se Ilir Meta e Monika Kryemadhi i duhen Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, thjeshtë për sfond. Lideri “de facto” i opozitës ka qenë, është e do të mbetet Sali Berisha, ndërsa “de jure” Lulzim Basha. Ata vërtetë dështuan në skenarin okult për ta marë pushtetin në tavolinë me parullën: “Ose ikën Edi Rama, ose shkrihet opozita!”. Por meqë nuk e realizuan të parën, tani që kanë humbur çdo lloj pushteti, i druhen realisht skenarit të dytë; asaj të shkrirjes së opozitës. Ndaj nuk kanë ndërmend që të bëjnë për këtë “kurban” PD, për aq kohë sa e kanë brenda gardhit të tyre gati për ta sakrifikuar, LSI-në.

Ilir Meta e di që në të tilla rrethana, e para që sakrifikohet, është një parti klienteliste si LSI dhe jo një parti pragmatike, si PD. Ndaj për ta shpëtuar anijen e tij të vogël nga mbytja e sigurtë, po nxiton që të bëjë kapitetin vizionar, që tenton ta drejtojë flotën, drejt një ngushtice që e nxjerr atë fitimtare në breg. Ilir Meta tentoi që ta luante këtë kartë, edhe atëherë kur ishte në Krye të Parlamentit në 2016, kur me votat e 140 deputetëve u miratua Reforma në Drejtësi. Ai po tenton që ta luajë edhe sot si President Republike këtë kartë, duke e paraqitur veten në rolin e “shpëtimtarit të kombit”.

Sali Berisha as nuk e ka ngrënë, e as nuk mund ti hajë këto lojëra politike, nga një prej dishepujve të tij. Ndaj, nxitoi sot nëpërmjet Lulzim Bashës, që ti tregojë vendin edhe Ilir Metës, edhe Monika Kryemadhit, edhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Duke i kujtuar të gjithëve edhe publikisht, se ai është ende aty si plaku Mere në krye të sofrës opozitare dhe se të gjithë të tjerët rreth e rrotull saj, nuk janë gjë tjetër veçse “kokrrat” e tespies në dorën e tij. Ndaj, Ilir Meta do bëjë si do bëjë por do të vazhdojë ti shërbejë sa herë që i duhet Berishës dhe Bashës, derisa të dali nga zyra e Presidentit.

E deri atëherë, do ta dëgjoni përsëri ende si sot Lulzim Bashën që të thotë se nuk ka dialog me Edi Ramën dhe se PD e di që nuk vjen dot në pushtet ndryshe përveçse me zgjedhje, por nuk do të mari pjesë në to, qofshin kushtetuese ose jo. Sepse në rrethanat e krijuara pas 30 Qershorit, Sali Berisha nuk mund ti lejojë të vetët që të bëjnë qoftë edhe një hap përpara për tu rikthyer në sistem, për aq kohë sa Ilir Meta do të vazhdojë të jetë brenda tij.

Vetëm pasi të ketë dalë edhe ai në rrugë si gjithë të tjerët e të rikthehet në oborrin e SHQUP, atëherë do të fillojnë përpjekjet reale, për ta rikthyer opozitën sërisht brenda sistemit politik të vendit. Pasi vetëm kështu, gjithkush do ta kuptojë se askush tjetër nuk mund të ketë më shumë rol në këtë histori, sesa vetëm Sali Berisha mund tia japi për ta luajtur, në skenën e madhe opozitare. Ndaj deri atëherë, do vijoni të dëgjoni përsëri të njëjtin refren që keni dëgjuar deri më sot, që nga koha kur ata dolën jashtë nga Parlamenti.