Alfred Peza/

Sa herë që liderëve të Shqipërisë u është lëkundur kolltuku i pushtetit, ata e janë munduar që ta ankorojnë anijen e mbijetesës së tyre politike, herë në limanin e nacionalistit e herë në atë të sovranistit. Kjo qasje ka qenë bashkëudhëtare me atë të historisë së Shqipërisë, që nga shpallja e pavarësisë, e deri në ditët e sotme.

Këto dy kostume i kanë veshur me radhë, pothuajse të gjithë udhëheqësit kryesorë të këtij vendi. Duke nisur që përpara Ahmet Zogut, e deri tek ata që e drejtuan këtë shtet pas Enver Hoxhës. Veshja e tyre ka qenë për ta herë e kërkuar, herë e detyrueshme por shpeshherë, edhe një parzmore jetike mbijetese nga mënyra e qeverisjes prej tyre.

Kur bota po prêt të përkujtojë me vëmendjen që meriton, 30 vjetorin e rrëzimit të Murit të Berlinit, në Shqipërinë post ideologjike këto dy kostume të dalë mode tashmë në epokën e globalizmit, janë nxjerrë nga garderoba e liderëve tanë politikë sa herë që ata kanë dashur që ti mbijetojnë mënyrës së tyre antidemokratike dhe antikushtetuese, të ushtrimit të pushtetit.

E kanë bërë këtë që nga Sali Berisha pasi u bë Presidenti i parë i pluralizmit në vitin 1997, kur akuzoi nga fqinjët anëtarë të NATO e BE dhe deri tek SHBA, se kishin gisht në trazirat antifajde që përfshinë vendin e që çuan në rrëzimin e tij për herë të parë nga pushteti. Për të mbërritur deri tek Presidenti i Republikës në detyrë, Ilir Meta.

Shqipëria pas pak kohësh prêt të festojë 10 vjetorin e anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO), më të madhen e sigurisë globale në historinë e njerëzimit. Ndërsa pas pak ditësh, zyrtarizimin e çeljes së negociatave të anëtarësimit në BE. Procese këto që e bëjnë çdo vend anëtar dhe udhëheqësit e tyre, që të jenë më pak “nacionalistë” edhe për shkak të delegimit gjithnjë e më shumë të sovranitetit të vendeve të tyre,  tek vendimarrja e përbashkët.

Pas çdekretimit të zgjedhjeve të 30 Qershorit, sapo Parlamenti i Shqipërisë nisi procedurën për shkarkimin nga detyra, për shkak të shkeljeve të rënda Kushtetuese që mazhoranca ka konstatuar gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e tij, edhe Ilir Meta la mënjanë “qetësinë dhe dashurinë” duke vrapuar që të bënte herë nacionalistin e çartur, e herë sovranistin e zjarrtë.

Sa më i panevojshëm dhe i pavend është qasja e një udhëheqësi politik ndaj këtyre dy kufijve ekstremë, aq më i madh është halli dhe aq më e lartë temperatura e brendshme e kompleksit të tyre të fajita publik. “Kërcimet Pindarike” të Ilir Metës në diskurin politik, sa në njërin skaj të litarit në tjetrin, nuk janë gjë tjetër me sa duket, veçse treguesi i ekstremitetit të akteve të kryera prej tij me koshiencë, në detyrën e Kreut të Shtetit.

Ndaj kur e shihni Ilir Metën duke bërë herë shqiponjën me dy pëllëmbë, e herë duke u marë me çdo qen e mace që i del përpara; herë duke u marë me shegët, domatet, mollët, dardhat e rrushin; e herë  duke u ngjitur sa në male, duke zbritur nëpër fusha dhe duke u zhytur në përrenj, rezervuarë e dete,- kuptojeni se e ka një hall.

Një hall shumë të madh madje. Aq të madh, sa edhe distanca e këtyre shfaqjeve të shëmtuara publike të padenja për një President Republike, në raport me “qetësisë dhe dashurisë” e tij olimpike, të periudhave kur koshat i kishte plot dhe punët i shkonin mbroth.

Kjo është edhe arësyeja se përse Ilir Metën gjatë dy muajve të fundit, e keni parë që të luhatet pa gjetur qetësi, në të dyja anët ekstreme të lisharësit politik; herë duke dhënë shfaqje me kostume plazhi, e herë me kostumin e nacionalistit ekstrem. Herë me kostume sporti kryesisht vija- vija vertikale, e herë me frakun e sovranistit të fundit të një vendi anëtar të NATO-s, e në pragun e hyrjes në BE.

Ilir Meta herë betohet se do vetsakrifikohet se Salvador Allende për të na mbrojtur nga puçi imagjinar i një revolucioni që ai vetë e quan artificial dhe herë tjetër se do japi dorëheqjen nëse ekspertët e Komisionit të Venecias, do të konstatonin shkeljen e Kushtetutës nga ana e tij për firmën e hedhur në çdekretimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit. E kur konkluzionet e tyre janë e zeza mbi të bardhë, ashtu siç mazhoranca qeverisëse e parlamentare pretendon, atëherë Kreu i Shtetit na bëhet “Luani i Florinjtë” që quan të çmendur këdo që nuk e justifikon në marrëzitë e tij, përfshi këtu edhe ekspertët e Venecias, për të cilët dy-tri javë më parë kishte thënë se Shqipëria do ishte ndryshe sot, nëse do ti kishte dëgjuar këto 30 vjet.

Ilir Meta ka nisur të mallkojë çdo ambasador e ambasadë të huaj në Tiranë, çdo ndërkombëtar e të dërguar nga SHBA, BE, NATO e OSBE/ODIHR që nuk duartroket si edhe lidershipi i opozitës sonë rrugore dhe mediat e oborrit të tij, bëmat presidenciale. Kaq mjafton për të kuptuar se nacionalizmi dhe sovranizmi i rremë i liderëve tanë politikë, buron nga frika e gjykimit të tyre elektoral nga qytetarët shqiptarë dhe gjykimi juridik e kushtetues, nga institucionet e sistemit të ri të drejtësisë.

Ndaj mos u habisni aspak se përse krejt papritur, internacionalistët dhe globalistët e 30 viteve të shkuara, po nxitojnë që të ankorojnë anijet e pushtetit dhe interesave të tyre personale, në limanët e nacionalizmit dhe sovranizmit të sotëm. Eshtë shpresa e fundit me sa duket që u ka mbetur, për të bësuar se vetëm në këtë mënyrë, do tu shpëtojnë përplasjes së pashmangshme më shkëmbinjtë, pas nxjerrjes në breg nga dallgët e historisë.