Nga Klaudia Malaj/
Opozita shqiptare, Partia Demokratike foli me zë të lartë se dispononte provat më unike në botë për të “fundosur” ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe pas tij të rrëzonin qeverinë Rama.

Duke qenë se me një ish ministër të Brendshëm mundën të bënin çmos që të jepte dorëheqjen dhe të përballej me drejtësinë, (ku deri tani drejtësia është në krah të Tahirit duke e lënë pa masë sigurie, as shtrënguese as ndaluese) menduan se “Babalja” Albert Veliu do të ishte çelsi kyç që do të plaste bombën e radhës në vend.

Një ngjarje e cila njihej prej kohësh, ku thuhej se vëllai i ministrit Xhafaj ishte i implikuar me një bandë trafikantësh të lëndëve narkotike, përveçse nuk solli ndonjë informacion të ri, mediat si kurrë më parë nisën të bënin analizat e komenteve dhe përplasjet që kishin “investiguesi”, pra gazetari dhe vetë personazhi kryesor i cili inskenoi tërë ngjarjen për një “hakmarrje personale”.

Por shkëlqimi dhe dështimi i kësaj ngjarjeje u zbeh me kalimin e kohës, si çdo gjë që nuk na bën më përshtypje sado skandal qoftë pasi kemi fituar imunitet.

Ditët e fundit Babalja i famshëm u arratis drejtë Kosovës për të kërkuar azil politik, me qëllim që të siguronte jetën.

Audio-përgjimi i publikuar është çuar në Itali për të vërtetuar autencitetin dhe vërtetësinë e zërit të vëllait të ish ministrit të Brendshëm Agron Xhafaj. Ministri Xhafaj në një reagim në Tëitter u shpreh se nëse përgjimi del i vërtetë do të jepte dorëheqjen.

Ajo që bie në sy është heshtja e opozitës dhe braktisja flagrante që i bënë dëshmitarit X. Përse opozita nuk po i del në krah dhe nuk po e çon çështjen deri në fund? Kaq e pafuqishme është të përballet me të vërtetën?

Nuk dihet se kush përdori kë në këtë situatë, por kemi vetëm prapë dy anë medaljeje. Një humbës (Babalja) dhe një megafon i cili punon sa herë dikush dëshiron të flas në tymnajë./AlpeNews.al/j.j