Nga Mero Baze

Parlamenti Europian ka miratuar sot një Rezolutë ku distancohet nga veto-ja franceze kundër Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe lë të hapur shpresën që procesi të ringjallet sa më shpejt të jetë e mundur.

Edhe pse ngjan si një ngushëllim për “të shtatat” e vdekjes së procesit të zgjerimit, rezoluta në vetvete adreson përgjegjësi individuale për Francën në këtë histori.

Pas kësaj ka dhe një debat të ri, për një përpjekje që Bashkimi Europian të gjejë rrugë të tjera afrimi me vendet e Ballkanit, përmes një stukture horizontale të integrimit, duke ofruar ndihma financiare, strukturore dhe politike, para procesit të anëtarësimit, me qëllim që rajoni të mbahet i lidhur me BE.

Por mënyra se si e përjeton Europa këtë ngjarje dhe si e përjeton politika në vendet e viktimizuara është e ndryshme.

Europa po e përjeton dështimin e një “Po”-je për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si një dështim të saj, si një humbje besimi dhe kredibiliteti dhe është e frikësuar se ka varrosur autoritetin e saj, në një rajon ku janë premtuar negociata kundrejt reformave.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë lexuar “e bardha mbi të zezë” në fletën e votimit, pyetjen “A dëshironi të ndryshoni emrin e shtetit në shkëmbim të hapjes së negociatave?”. Dhe kur ata e ndërruan emrin e shtetit, Europa nuk ishte në gjendje të mbante fjalën e saj për shkak të Francës.

Dhe kjo natyrisht i bën liderët europianë të ndjehen të turpëruar dhe të bashkohen në një rezolutë si e sotmja, duke ndëshkuar qëndrimin e Francës.

Në Shkup kjo rezolutë shikohet si ndihmë për qeverinë e Zaevit, e cila do të hyjë në një betejë elektorale në prill, me shpresë që t’i mbijetojë vrullit anti-europian që ka marrë opozita.

Në Shqipëri, qeveria përpiqet të ndjehet e ngushëlluar nga rezoluta, kurse opozita e ka foksuar betejën tek mbrojtja e qëndrimit francez. Kryetari “de facto” i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar sot një editorial që vë në siklet dhe mbrojtësit më banalë të Presidentit Macron, duke i dalë atij zot, për shqetësime që Macron nuk i ka. Ai shpall qëndrimin e Macronit si realist dhe të duhurin kundër Shqipërisë dhe akuzon disa botues shtypi, se kanë sulmuar Francën dhe kanë krijuar një klimë anti-franceze në vend.

E vërteta është se Presidenti Macron me qëndrimin e tij ka dëmtuar më shumë Europën, se sa Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndaj dhe ka një Rezolutë kundër tij nga Parlamenti Europian. Ai ka krijuar më shumë frymë anti-franceze në BE, se sa në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

Problemi është që Macron dhe Berisha kanë arsye të ndryshme për “Jo”-në ndaj Shqipërisë, pasi Macron e ka “jo” parimore, me mos zgjerimin e Europës, kurse Berisha e ka si dëshiron ai.

E vetmja gjë e përbashkët mes tyre në këtë histori, është që ndjehen të kënaqur pas “Jo”-së.

Ndaj dhe nuk vlen të debatosh për ndonjë klimë anti-franceze në Shqipëri, pasi vendimi francez këtu ka më shumë mbështetës se në Francë. Madje, i vetmi rrezik për Francën në Shqipëri është pikërisht ky, pasi vendimin e saj e mbron Sali Berisha. Kjo është një mënyrë banale që t’i biesh më qafë Francës, duke eksportuar tek ajo, përçmimin që shqiptarët kanë ndaj një vrasësi si Berisha. Se dhe Enver Hoxha ka bërë një vit shkollë sa Berisha në Francë, po të paktën nuk e njehsonte veten me Francën. Nuk tentoi t’i bëjë kaq dëm sa shërbëtori i tij.