Sot në orën 10:00 do të nisë seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë dhe njëkohësisht me të edhe protesta e opozitës para parlamentit. Opozita ka njoftuar se do të jetë jashtë ambienteve të Kuvendit, gjatë kohës që do të zhvillohen punimet për seancën e radhës plenare. Kjo është protesta e shtatë e opozitës dhe sipas paralajmërimeve të drejtuesve të partive opozitare ajo do të vijojë sa herë që në Kuvend të ketë seancë plenare. Ndërkohë që Kuvendi pritet që të vijojë normalisht punimet, teksa do të betohen edhe tre deputetët që morën mandatin dje nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

Pjesë e rendit të ditës të seancës së sotme janë ndryshimet në ligjin për vettingun në polici, si dhe një ratifikim marrëveshjeje financimi. E ndërsa protesta është njoftuar nga opozita para parlamentit, masat i ka marrë edhe Kryeministria. Hyrja e selisë së qeverisë është ‘vulosur’ me pllaka metalike. E njëjta metodë u ndoq edhe në protestat e shkuara, disa prej të cilave kanë degjeneruar në dhunë.