Nesër në orën 11:00 opozita e bashkuar do të protestojë përballë Kryeministrisë me qëllim largimin e Edi Ramës nga pushteti. Për të folur mbi atë se cfarë mund të ndodhë nesër, në studion e emisionit ‘Repolitix’ ishin të ftuar Fatos Klosi, Ilir Kalemaj, Aleksandër Çipa dhe deputetja e LSI-së, Nora Malaj. Për ish-kreun e SHISH-it, Fatos Klosi tubimi është luftë për pushtet që Lulzim Basha të vijë në pushtet, por sipas tij, këta janë njerëz të provuar dhe se gjithcka artikulohet nga opozita është një gënjeshtër e madhe.
“Është luftë për pushtet. Protesta është absolutisht e drejtë, nevojë e njerëzve që e ndjejnë që të dalin. Duhet parë numri, të flasësh në emër të popullit në një studio më duket e tepërt. Sa të zotë do të jenë njerëz që të marrin njerëz që do të përplasen me policinë…. se nuk përplasen shefat e tyre.

Do të doja që protesta të jetë paqësore. E dimë të tërë se jemi keq, por kush është zgjidhja? Ata njerëz që duan të vijnë në pushtet i kemi provuar. Janë po ata njerëz, po ata udhëheqës. Këta njerëz, që janë regjimi, na sollën këtu. Është një gënjeshtër e madhe, sikur nesër do të vijë mrekullia. Revolucioni kërkon një situatë që të bëhet. Të gjithë e dinë se bëhet fjala që Lul Basha të vijë në pushtet. Erdhi nga e panjohura, u bë ministër, pastaj u fsheh nga gjyqi” tha Klosi.