Prokurorja publike, Katica Janeva, siguron opinionin se posedon dëshmi “me kualitet” për rastin “Regjistrimi”, ku të dyshuar kryesorë janë partnerët shumëvjeçarë, Ali Ahmeti dhe Nikola Gruevski. Ky i fundit ndodhet në arrati pas dënimit nga gjykata me dy vite burg për rastin “Tanku”. Janeva ka folur edhe për pengesat që ka bërë qeveria e kaluar ndaj Prokurorisë Speciale në grumbullimin e dëshmive për anulimin e Regjistrimit.

“Regjistrimi si lëndë është hapur moti kohë në fazë parahetimore. Gjatë kohë janë kërkuar biseda lidhur me këtë rast. Grumbullohej edhe dokumentacion, që në fillim nuk ishte e mundur, deri sa nuk ndryshoi pushteti. Zhvillohet hetim kualitativ dhe i mirë, këtë patjetër duhet ta pranoj. Ka dëshmi të mira dhe me kualitet. Më tepër nuk mund të tregoj për opinionin, sepse gjykata është organi që e konfirmon akuzën, e pastaj do të dëgjojmë të gjithë së bashku se çka ka ndodhur”, ka deklaruar Janeva.

Duke zbuluar një pjesë të rastit lidhur me dyshimet për këtë krim të kryer, Janeva thotë se Ahmeti dhe Gruevski mes tjerash janë koordinuar se si të anulohet regjistrimi në Kuvend. Te rasti “Regjistrimi”, të dyshuar kryesorë janë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe ish kryeministri Nikola Gruevski. Ata akuzohen se në mënyrë antiligjore e kanë ndërprerë regjistrimin e vitit 2011, nga frika se do të kishte implikime negative mbi karrierat e tyre politike. /Fol.mk