Pas 30 vitesh, ëndrra e transformimit të Piramidës bëhet projekt konkret. Bashkia e Tiranës mori në dorëzim nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF), projektin për të nisur punimet në Piramidën e Tiranës, që do të transformojë atë dhe të ardhmen e fëmijëve të kryeqytetit. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Michael Granoff, Kryetar i Bordit të Drejtorëve të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit, e cila i hap rrugën fazës përfundimtare të rikonstruksionit të Piramidës.

Veliaj shtoi se Piramida do të ndryshojë brenda një viti e gjysmë. “Sot është akti final, kur ne marrim në dorëzim projektin, pra e përkthejmë ëndrrën në një projekt të zbatueshëm. Brenda këtij viti do të kemi garën për të nisur punimet në Piramidën e Tiranës dhe me një supervizim të përbashkët, por edhe me një menaxhim e financim të përbashkët me AADF, do të shohim se si në një vit e gjysmë do të transformojmë hapësirën më të lakmuar të qytetit të Tiranës, në hapësirën që do të transformojë, besoj, të ardhmen e fëmijëve të këtij qyteti”, nënvizoi ai.

Kryebashkiaku siguroi se ky do jetë një projekt mbresëlënës, që do shenjojë një pikë kthese në mënyrën sesi Tirana orientohet tek teknologjia e informacionit.

Kryetari i Bordit të Drejtorëve të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Michael Granoff, e cilësoi projektin e Piramidës një mundësi unike, jo vetëm për Tiranën, por për gjithë vendin, që do të ndihmojë të rinjtë të aftësohen dhe të përgatiten për të ardhmen. “Është një mundësi unike për ne, që në bashkëpunim me kryetarin Veliaj, të bëjmë diçka kaq transformuese, jo vetëm për qytetin e Tiranës, por besoj për të gjithë vendin. Nuk ndodh shpesh të ndryshojmë edhe formën, edhe substancën, për të bërë një transformim të tillë.

Në rastin e projektit të Piramidës ne do t’i bëjmë të dyja: Ta kthejmë në një ambient për fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë në të ardhmen. Jo vetëm për t’i ndihmuar ata të zhvillojnë talentet e tyre, por edhe në mënyrë që Tirana dhe Shqipëria t’i bashkohen botës më e kompletuar dhe të sigurohemi që fëmijët tanë të fitojnë aftësitë e duhura për të zhvilluar talentin e tyre në kontekst global”, deklaroi Michael Granoff. Falë projektit të Bashkisë, qeverisë dhe partnerëve të AADF-së, Piramida do të jetë një pikëtakim për të gjitha grupmoshat.