Kryetari i Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, Arben Ahmetaj deklaroi sot se janë marrë të gjitha masat që askush i prekur nga tërmeti i forte që goditi vendin tone në 26 nëntor të mos lihet mbrapa.

Janë vënë, vijoi ai, hotelet në dispozicion, çadrat dimërore dhe bonusi i qirave për qytetarët.

“Faza e dytë që nis me 1 janar ka të bëjë me bonusin e strehimit për qytetarët që nuk kthehen dot në apartamentet e tyre, për shkak të dëmtimit nga tërmeti. Për banorët në zonat rurale do të ofrohen dhe shtëpi ekologjike, që janë strehim i përkohshëm. Objektivi afatgjatë i qeverisë është ndërtimi i 10 mijë apartamenteve në qyteza urbane specifike”, – theksoi Ahmetaj.

Me këtë, vuri në dukje ai, qeveria kërkon të shmangë edhe ato gabime të mundshme që janë bërë në 30 vite ku është ndërtuar aty ku s’duhej të ndërtohej.

Sipas Ahmetaj, ndërtimet do të plotësojnë nevojat e të gjithë atyre qytetarëve që nuk rikthehen dot në shtëpitë e tyre, për shkak se ato janë dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme.

Më tej, ai informoi se do të ndërtohet një qytezë e re në Durrës, një ndërtim i ri në Thumanë, dy ndërtime në Tiranë, Lezhë dhe në të gjitha zonat ku ka dëmtime dhe qytetarët nuk kthehen dot në shtëpitë e tyre.

Sa i përket Tiranës, Ahmetaj tha se po shikohet ndërtimi te zona e ish parkut të autotraktorëve dhe kombinatit.

Qytezat, tha ai, do të ndërtohen, nuk do të rindërtohen. Sipas tij, po diskutohet që të përdoret toka shtetërore që janë në dispozicion të institucioneve shtetërore.

“Në planin afatmesëm synohet ndërtimi i 5 mijë apartamenteve”, – informoi Ahmetaj.