Pesë persona u vranë në redaksinë e gazetës “Capital Gazzete”, në një sulm të kryer nga një njeri i vetëm në Annapolis, Maryland.

Viktimat dhe dy të plagosur të tjerë janë të gjithë punonjës të gazetës.

Autori është identifikuar si Jarrod Warren Ramos. Burime policore i kanë thënë rrjetit CNN se autori i masakrës ka lidhje me gazetën.

Në vitin 2012, ai ka paraqitur një padi për shpifje por çështja e tij u mbyll.

Sipas skemës së ngjarjes, e rindërtuar nga policia, autori ka hyrë në redaksinë e gazetës duke kërkuar për viktimat.

Ai ka përdorur lëndë tymuese për të shkaktuar konfuzion. Policia e gjeti të fshehur poshtë një tavoline.

Dëshmitarët e përshkruan vendin e ngjarjes si një “zonë lufte”.

Shkaqet e ngjarjes dyshohet se kanë lidhje me padinë e ngritur nga autori 6 vjet më parë.

Në vitin 2012, Ramos hodhi në gjyq opinionistin e gazetës, Eric Hartley, dhe redaktorin dhe botuesin, Thomas Marquardt.

Në vitin 2015, gjykata e Maryland-it, vendosi në favor të gazetës dhe një ish-reporteri, të cilin Ramos e akuzonte për shpifje.

Sipas dokumenteve të depozituara në gjykatë, në artikullin për të cilin është ngritur akuza thuhej se Ramos kishte ngacmuar një grua në “Facebook” dhe ishte deklaruar fajtor për ngacmim.

Gjykata vlerësoi se përmbajtja e artikullit ishte e saktë dhe e bazuar në prova.

Ngjarja në Annapolis tërheoqi vëmendjen e gjithë mediave të botës.

Organizata “Reporterët pa kufij” tha se është thellësisht e shqetësuar nga një ngjarje e tillë.

Edhe presidenti amerikan, Donald Trump, reagoi menjëherë pas lajmit për ngjarjen.

“Mendimet dhe lutjet e mia shkojnë për viktimat dhe familjet e tyre.

Faleminderit ndërhyrjes së shpejtë dhe të gjithë atyre që janë në vendin e ngjarjes”, shkroi ai në “Tuiter”.

Përgatiti: Gazmira Sokoli/TEMA/j.j