Prefekti i qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj, i bëri thirrje të gjithë qytetarëve të paraqiten në sportelet e bashkive përkatëse për të bërë të mundur plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm për realizimin e procesit të kalimit në pronësi.

“Përfundimi i këtij procesi do të mundësonte rritje të investimeve nga ana e fermerëve, si dhe mundësi për përfitim të subvencioneve, e cila do të çonte në një rritje të ekonomisë së qarkut”, tha Aliaj.

Nën kujdesin e veçantë të Prefektit Aliaj gjatë këtij viti janë zhvilluar takime me sektorët e pronave të shtatë bashkive të qarkut për të mundësuar informimin e specialistëve mbi procedurat dhe bazën ligjore për përfundimin e procesit të kalimit nga përdorimi në pronësi të tokës bujqësore.

Meqenëse afati kohor për përfundimin e procedurave të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe për familjet bujqësore në fshatra të ish-kooperativave bujqësore, në pronësi të përfituesve mbyllet në datën 31 dhjetor 2019, institucioni i Prefektit të qarkut kërkon nga ana e qytetarëve dhe strukturave të vetëqeverisjes vendore që të marrin të gjitha masat për përfundimin me sukses të procesit.