Nga Alfred Peza
Fillimi i sezonit të ri politik po përvijon qartë kufirin ndarës mes halleve reale të Shqipërisë dhe halleve personale të klasës politike. Mes prioriteteve strategjike të vendit dhe prioriteteve private të një pjese të elitës politike. Mes pikës në horizont ku kërkohet me aq ngulm që të arrijmë me mbështetjen e SHBA e BE dhe pikës së kundërt ku po kërkon që të na rikthejë, lidershipi i opozitës së rrugës.

I dërguari special amerikan për Ballkanin Matthew Palmer, gjatë Forumit Strategjik të Bled-it në Slloveni tha se “Integrimi euro-atlantik i rajonit të Ballkanit paraqet një qëllim strategjik të Uashingtonit”. Ai shpalosi qartë synimin e SHBA kur saktësoi se synojnë të “konkurrojmë në nivelin e një ndikimi pozitiv në rajon dhe ta përdorin atë ndikim për të lehtësuar integrimin europian dhe euro-atlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Palmer përcaktoi si objektivin më të afërt për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian “në kushtet idale, në tetor”. Ky prioritet i aleatit tonë strategjik në planin ndërkombëtar, sigurisht që është i rakorduar për të qenë në harmoni, edhe me axhendën e mazhorancës socialiste dhe qeverisë së Kryeministrit Edi Rama.

Ndërsa në planin e brendshëm, si tri prioritetet kryesore politike, ku do të fokusohet vëmendja e ku do të kanalizohen energjitë kryesore, janë:

E para, te dialogu pa kushte mes qeverisë dhe udhëheqësve të opozitës brenda e jashtë parlamentare, për reformën e re elektorale ku do të adresohen të gjitha shqetësimet dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR, në funksion të zgjedhjeve të reja të vitit 2021.

E dyta, te angazhimi pa kushte i të gjitha partive politike për ti dhënë mbështetjen e tyre maksimale, realizimit të reformës në drejtësi.

Së fundi, te formimi i institucioneve të reja të drejtësisë si SPAK e BKH dhe te rifillimi i punës normale në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, për të lejuar funksionimin e qetë të proceseve demokratike në Shqipëri.

Me përfundimin e sezonit të pushimeve verore, shtatori ka nisur me tone realativisht të qeta në Tiranën politike e mediatike, ndërkohë që palët po mundohen që të ripozicionohen në kushtet e një realiteti të ri post elektoral.

Misioni i OSBE/ ODIHR sapo ka publikuar raportin final për 30 Qershorin, gjë që i vuri vulën debatit nëse kishte apo jo zgjedhje të përgjithshme lokale në Shqipëri. Fakti që kemi një dokument zyrtar si ky, nga institucioni më i rëndësishëm ndërkombëtar i monitorimit të proceseve elektorale do të thotë se PO, kishim zgjedhje. Kjo i jep fund edhe “de jure” diskutimit nëse duhet të ketë apo jo zgjedhje më 13 tetor siç thotë Presidenti Ilir Meta. Ndërkohë që “de facto”, këto zgjedhje i kishte rrëzuar me kohë edhe vetë aleatja më e madhe e LSI në opozitë, Partia Demokratike.

Ky realitet nxjerr tashmë përfundimisht zbuluar në dritë të diellit, qëllimet e skenarit të Sali Berishës, Lulzim Bashës, Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit për djegien e mandateve të deputetëve, daljen nga Parlamenti dhe nga zgjedhjet, e për rrjedhojë edhe nga sistemi politik dhe demokratik i vendit. Një skenar destabilizimi nëpërmjet parrullës “ose ikën Edi Rama, ose shkrihet opozita”, që synonte marjen e pushtetit në tavolinë, për të bllokuar dhe zhbërë reformën në drejtësi.

Protagonistët realë të këtij “puçi” ndaj demokracisë shqiptare, për qëllime krejt personale nga frika e ndëshkimit prej institucioneve të drejtësisë së re për krimet dhe korrupsionin e 30 viteve në politikë, janë identidikuar. Ata njihen me emër e mbiemër dhe kanë nisur që të izolohen. Ndërkohë që vendi po vijon, me përmbushjen e prioriteteve të saj strategjike, në mënyrën më të qetë e normale të mundshme.

Për ta kuptuar më mirë atë që po ndodh, mjafton që të dini të lexoni gjuhën e shenjave dhe mesazheve, që përcjell diplomacia. Gjatë kësaj jave ishte në Tiranë Drejtori i Zyrës për Europën Qëndrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Kostelancik. Ai u takua me të gjithë aktorët kryesorë të jetës politike në Tiranë. Përveç Sali Berishës. E mbi të gjitha, as edhe me Presidentin e Republikës, Ilir Meta. Kaq mjafton për të kuptuar se kush është problemi real i Shqipërisë dhe nga ku duhet nisur puna, për të ecur me vendosmëri përpara.

*Shkruar posaçërisht për: “ZoonPoliticon”