Historia mbresëlënëse e autorit Marc Twain, “Princi dhe i varfëri” ngjitet në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” për fëmijët. Në rreth një orë, vepra me të cilën janë rritur breza të tërë vjen për publikun e vogël. Në qendër të shfaqjes është djaloshi endacak Tom Kenti, i cili shquhet për vullnetin e hekurt, që ka për t’u bërë princ. Ndërsa, Eduard Tudor, është princi i Uellsit. Të dy personazhet takohen një ditë, duke i dhuruar publikut shumë aventura dhe të papritura.

“Tani fëmijët po shkojnë drejt historive moderne, por nuk do të doja që të humbasin gjurmët e tregimeve që ne jemi rritur. Mark Twain është një autor shumë i madh, që do të doja që të njihej nga fëmijët, se është pjesë e kurrikulave mësimore. Zgjodha “Princi dhe i varfëri”, sepse do t’i ndihmojë fëmijët që të kuptojnë se secili ka një histori ndryshe edhe nuk duhet që ta krahasojë veten me të tjerët. Më e fshehur është edhe mesazhi, i të drejtave të fëmijëve. Tomi është një fëmijë i keqtrajtuar nga i ati, për këtë arsye doja që të vija “Princin dhe i varfëri”, tregon Franceska Hysi

Tomi i tregon Eduardit për jetën e tij të varfër, por plot aventura. Pas kësaj Princi i kërkon Tomit të ndërrojnë rrobat e tyre për disa minuta. Por djemtë ngjasojnë shumë me njëri-tjetrin dhe këtu nis ngatërresa e madhe. Eduardin e përzënë nga pallati mbretëror, ndërsa Tomi mbetet në pallat. Në shfaqje nuk mungon as rrëfimtarja dhe as interaktiviteti me fëmijët

“Ishte një strategji imja për disa arsye, e para se Princi edhe i varfëri është një tregim, që unë e kam dramatizuar, për ta bërë më të thjeshtë. Prandaj, zgjodha që të sjellë rrëfimtarin që të bëjë lidhjen me skenat pasardhëse. Pastaj, duke u treguar fëmijëve, që këta janë aktorë, të kishim edhe një bashkëbisedim gjatë shfaqjes me ta”, shprehet regjisorja Franceska Hysi

Në shfaqjen “Princi dhe i varfëri” me regji dhe dramatizimi të Françeska Hysi, interpretojnë : Algiona Aga, Anxhelo Shkreli, Donald Shehu, Ergys Cekrezi, Klajdi Metaj dhe Mateo Dervishaj. Skenografia është realizuar nga Beqo Nanaj dhe kostumografia nga Sofi Karaj. Shfaqja do të vijojë që të shfaqet çdo fundjavë në Teatrin Eksperimental.