Presidentja e ardhshme e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dalë sërish në mbështetje të hapjes së bisedimeve të pranimit me vendet e Ballkanit Perëndimor duke u pozicionuar kundër vetos së Presidentit francez, Macron.

Duke folur në Berlin të Premten, Von der Leyen tha që Evropa “kishte kërkuar shumë nga Maqedonia e Veriut e Shqipëria dhe ata i kanë përmbushur të gjitha. Tani ne duhet të mbajmë fjalën dhe të fillojnë bisedimet e pranimit.

Unë do të investoj gjithë energjinë time në zhvillimin e projekteve të përbashkëta që do t’i lidhin gjithnjë e më shumë këto vende me ne përmes bashkëpunimit të ngushtë. Nëse nuk e bëjmë këtë, të tjerët do të mbushin boshllëkun, dhe ne nuk duam që kjo të ndodhë” tha ajo duke nënkuptuar Rusinë dhe Kinën.

Në samitin e BE-së që u zhvillua në datë 18 Tetor, liderët e unionit nuk ranë dakord për hapjen e negociatave pas vetos së Macron, që kërkoi më parë reformimin e BE-së më pas zgjerimin.