Nga Lekë Tasi*

Dola  nga ekspozita e Gazmend Lekës me mbresa të forta. Personalisht kam qënë i dyzuar mbi mënyrën e tij të pikturimit, dhe arsyeja ësht e kuptueshme:  prirja e tij e theksuar ndaj të errtës, madje të zezës. Më shqetsonte  sepse e njihja si  dishepull  të Petro Zhejit, gjë që sëpaku të bën shpresëtar, dhe për pasojë ‘diellor’…Por nuk është e thënë që një filosofi e caktuar të ketë zbatime univoke edhe në art, që thjesht  pjesëmarrja në atë ‘klub’  të ndikojë edhe në stil ose gamë koloristike.

Gazin e tërhiqte misteri i  simboleve, ndaj dhe u thellua në to.  Ato e inspiruan me qiej nokturnë dhe diej të largët të shoqeruar  me simbole dhe ambjente misterioze që te impresiononin per larmine e tyre.  Megjithatë, kur e shoqëroj me mend zhvillimin e Gazit në tri ekspozita, (po i vendos ato  arbitrarisht si tri  dhe pò ashtu me intervale pesëvjeçarë, 2009-2014-2019), e para me karakterin e lartpërshkruar në  formate të vogla mbi dru ahu, e dyta me formate shumë të mëdha dhe me një agim të zbehtë të dritës, për të cilën e përgëzova dhe parashikova  një kthesë të pritshme më të plotë  drejt ngjyrës, gjë që mu vërtetua dje  dhe më gëzoi qysh sa hyra.  Rreshtimi i punëve në tri sallat e FAB paraprihet në hyrje nga një fytyrë djali të mitur që ka në zonën syve një dritë të dlirë, e cila  sipas meje simbolizon pafajsinë tonë fillestare, të nisur të përballojë  dramën e ekzistencës, dhe që duke u luhatur mes  qëndresës dhe  ligshtimit gjatë  sprovave, do t`i shërbejë si yll polar në moshën e pjekuris, për një përdëllim final drejt  dritës.  Gjetja e tij me torturat mu duk mjaft origjinale, sepse zbërthen piktorikisht e sidomos simbolikisht  alienimin e rrezikshëm ekzistencial (rënia në mëkat/pamundësi për tu liruar sij). Ai  jepet me një autoportret të çarë dysh, njeri nën gjithfarë  torturash, dhe tjetri  aty pranë,   spektator e në krizë. Kontrasti koloristik është i artikuluar mirë, materialiteti i sipërfaqeve po ashtu. Mirëpo  errësira sfond  përvijohet deri në fund në serinë e Dhomave siç i ka quajtur Leka, (alias kurthet që  gjatë jetës që do t`i mundojnë shpirtin) pa një avancim drejt  lirisë. Mbetja   tek ky hap kritik, të mundimit të  egër, mesjetar e thuajse makabër, të kujton largazi  “Kolonia Penale” të Kafkës, dmth një ‘amor fati’  përjetuar me ngulmim të mbrapësht. Pritja që   përdëllimi  do të përligjte mundimet, nuk mu vërtetua, kështu që dhe i mituri  simbol, me një aureolë eliptike mbi krye  mbetet  pò spektator, thjesht  një ishull pafajsie e pafuqishme, dhe jo  një guidë drejt shpresës për një Hir që vjen  sëlarti dhe shpëtimtar. Të kishim një shenjë qoftë  pak të shqiptuar por të vullnetshme nga piktori te salla e tretë, një aluzion  shpëtimi, do t`i  jepej  kuptim  tërë rrugës  së torturave dhe vet ekspozitës   si e drejtuar tek përdëllimi.

Mundimet janë nga më të egrat, dhe materiali metalik – i dhënë mjeshtërisht, siç di në përsosuri ta bëjë Gazmendi.  Ajo që më sëmboi ndërsa e shoqëroja  me sy këtë sequencë   me gjetje të mira kompozicionale, detaje e kontraste, ishte fakti, po e përsëris, që terri nuk u ndahej askund si sfond. Kështuqë cikli mbyllej siç e parandillte qartë edhe  titulli i ekpozitës: ‘hapat e humbura’… Bëra analogji me vepra piktorësh me subjekte shenjtorësh nën tortura, si ‘Martirizimi i Shën Sebastianit’ i Mantegna’s,  ku shpëtimi  simbolizohet me sfondin qiellor në të cilin spikat shenjtori me shigjeta në trup,  sidhe të parit sëposhtmi-lart që  thekson këtë lidhje të tij me qiellin e kaltër. Natyrisht, ky qëndrim nuk mund t`i  imponohet një piktori  tjetër, dhe atëhere një analogji tjetër po aq domethënëse por  e kundërt të vjen detyrimisht në mend : pamundësia e shpëtimit, një qëndrim pesimist si  tek romani  ‘Procesi’ po e  Kafkës, dhe mos të  harrojmë që thika në ijë i vjen protagonistit K në dritën e pamëshirëshme të mesditës, si një ankim i fortë i pashpresë  i artikuluar nga autori. Dhe analogjikisht  që s`ka rrugë shpëtimi edhe për piktorin  prej  territ që dominon  ekspozitën bashkë me tematikën,  të cilat  na lenë  në pritje të pashpresë neve, spektatorin dhe  të miturin, tek i cili  aureola mbetet e pa domethënie ose  e dështuar. Edhe lutja, e përmendur në manifest , si tërësisht e pafuqishme .

E pakuptueshme , sepse ashtu do fitonte mendimi  për një ndërrim qëndrimi , shkurt  largim të tij nga e kaluara besimtare. Uroj  të gabohem,  për asnjë arsye tjetër veç asaj artistike. Përbërjet  shpirtërore të artistëve të ndryshëm shpesh nuk lidhen  me prirjet koloristike të tyre, ato bëhen  domethënëse  ndofta vetëm psikalalitikisht, dhe ato  mund të bien  ndesh çuditërisht me ato ideore ose shpirtërore. Ekzistojnë plot kombinime  që të gabojnë  . Vec kësaj  artisti serioz  jep senjale të rralla me anë simbolesh ose  gamash  koloristike të papritura, në mënyrë  që  të japin ato  sensin e dishkaje themelore që luhet në jetën  e tij, ndërsa vet autori ngjan si  i ftohtë. Në rastin tonë shqiptar  do të ishte shumë e vlefshme për momentin e tanishëm të shoqëris, të jepej ky lloj arti, me jehonë  shpirtërore,  dhe jo ai që mundohet të komentojë aktualitetin për mirë o  për keq, të cilit ia kemi parë hajrin. Në këtë kuptim, Gazi që mbas 90-ës  është angazhuar në variantin e parë, dhe u hyri mistereve me sfond nate, po n` atë rrugë do t`i krijonte  një portret më  të plotë  veprës së tij  nëse peneli i tij  do të kalonte në zonat  më të  ngrohta nga ç`ka bërë i deritashmi.  Këtë  pres nga ai  në një ekspozitë të ardhme.   Ai është një profesionist shume  i aftë teknikisht dhe me kulturë, kështu që   linja me pafajsinë që  përshkon vuajtjen  me episodeve kuptimplotë, të arrijë  tek rivendosja e saj në një bazë pjekurie, kjo nuk do t`ishte aspak banale si një happy end i rëndomtë, sepse edhe në letërsinë serioze, prej sëcilës G. Leka merr mjaft , janë të rralla veprat që nuk e kanë këtë kthesë që bazohet te vitaliteti njerzor, sigurisht të motivuara bindshëm.    Kërkohet vetëm  një ide  si ajo e djalit të vogël po tjetërlloj,  një pelegrin ndofta që kalon në shtigje të panjohura për të mbritur ose për t`iu afruar qëllimit të dëshiruar. Me njohjen e  tij të kahershme  të simboleve, dhe të marrunit  paprerë  me projektet artistike qe e karakterizon , e shoh të mundur vazhdimin e krijimtaris së  Gazmendit në këtë drejtim, sepse ajo  do t`i jepte përgjigje çështjes që ngrita lart, e cila e përsëris, jo detyrimisht  angazhon artistin si i tillë, por që i shton  notën diellore dhe plotson, nëse autentike, veprën e tij dhe  pritshmërinë tonë.

*Kritik arti