Banesat e dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit në qarkun e Durrësit janë duke u ndërtuar.

Prefekti i qarkut të Durrësit, Roland Nasto në një intervistë për ATSH-në shpjegoi se në Manzë, Ishëm, Katund i Ri, Rrushbull, ka përfunduar procesi i tenderimit dhe ka nisur puna për rindërtim.

“Janë disa ndërtesa që janë prishur dhe tashmë prej disa ditësh po vijon puna për ndërtimin e objekteve të reja. Konkretisht në Maminas janë 4 objekte, po kaq edhe në Katund të Ri e në Ishëm, ndërsa në Manzë janë 5 ndërtesa”, – deklaroi Nasto.

Më tej, ai shtoi se në të gjithë qarkun grupet e verifikimit janë duke punuar intensivisht për identifikimin e të gjitha banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Në çdo njësi administrative, në zonat rurale, kemi dy deri në 3 grupe që po verifikojnë çdo banesë “, – u shpreh prefekti i Durrësit, Nasto.